Bytyqi e quan menaxhim formal sistemin e arsimit në kohën e pandemisë

11:30 | 9 Maj 2020
Arbresh.info

Ish-Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, e quan menaxhim formal sistemin e arsimit në kohën e pandemisë.

“Periudha e pandemisë është shumë e vështirë për tu menaxhuar siç duhet në çdo sistem e veçanërisht në sistemi arsimor sepse ne nuk jemi të përgatitur që në situata të tilla të kemi një menaxhim të duhur të sistemit arsimor. Në kohën e pandemisë duke pasur që nuk kemi pasur një parapërgatitje të tillë them që më shumë ka pas një menaxhim formal sa për ta mbyllur vitin por jo që pritet të ketë sukses në këtë vit”, ka thënë ai.

Bytyqi tutje ka thënë se shfuqizimi i Udhëzimit Administrativ për Gjuhët e Huaja në Programin e Studimit të Ciklit të Dytë dhe të Tretë është një hap mbrapa në arsimi e lartë.

“Konsideroj që ky vendim i iniciuar nga ministrja dhe marrur nga qeveria sepse në të kaluarën ka qenë vendim i qeverisë për një udhëzim të tillë administrativ është një hap mbrapa në arsimin e lartë”, është shprehur ai.

Dëmet pas pandemisë, Bytyqi ka thënë se do të jenë të mëdha si në arsim edhe ekonomi por që siç thotë ai ekonomia mund të rimëkëmbet më lehtë se arsimi për të cilin thotë se duhet gjithë akterët bashkë, përfshirë përgjegjësit e arsimit, ministria e Arsimit e deri të prindërit të mendojnë të gjejnë një formë për ta kompensuar minimumin e dëmit.

“Jeta pas pandemisë çdo kund do ta ndryshojë në përgjithësi, pasojat e mëdha janë në arsim siç do të jenë në ekonomi dhe të cilat pastaj do të duhet të kemi një strategji të daljes nga kjo situatë por gjërat në ekonomi shumë ma lehtë mund të rimëkëmben në krahasim me dëmet që shkaktohen në arsim sepse në arsim i duhet një kohë shumë më e gjatë për ta kompensuar dëmin i cili shkaktohet brenda kësaj periudhe, mirëpo duhet që gjithë akterët bashkë, përfshirë përgjegjësit e arsimit, ministrinë e Arsimit, nivelin lokal që shpesh lihet anash, mësimdhënësit, prindërit duhet të ulen të mendojnë të gjejnë një formë për ta kompensuar minimumin e atij dëmi të shkaktuar, në mënyrë që gjeneratat të tëra mos të kenë pasoja afatgjate”, ka thënë ai.

Bytyqi tutje ka thënë se për momentin është herët të konkludojnë se si do të garojnë PSD në zgjedhje pasi që siç thotë ai nuk janë të sigurt se kur do të ketë zgjedhje por që gjithsesi si parti janë të gatshëm për zgjedhje.

“A do të ketë zgjedhje tani, nëse do të kemi ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese apo do të ketë zgjedhje më vonë që do të kemi një qeveri të re që do të mund ta shtyjë një kohë deri në zgjedhjet e reja, gjithsesi ne si parti do të jemi gatshëm për zgjedhje, por ne kemi zgjedhur një rrugë më të vështirë, si PSD jemi duke punuar edhe si kryesi por edhe me aktivitete tona që i kemi aktivistët në teren që të punohet në drejtimin e platformës tonë të politikave social demokrate, koncepteve politike që ka nevojë t’i kuptojë edhe shoqëria pra në formën e demokratizimit të shoqërisë dhe politikës sepse ne jemi të sigurt që konceptet tona demokratike po të përqafohen nga shoqëria shumë më lehtë do të kemi që të futim demokratizmin edhe te politika dhe partitë pulitke dhe në këtë rrugëtim nëse do të kemi kohë dhe do të arrijmë të kemi një shtrirje të mirë në teren do të garojmë si parti në vete”, ka thënë Bytyqi./R.Rexhepi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme