Google ADS

Qelaj: Në total 11 policë të infektuar me COVID-19, 244 të tjerë janë vetizoluar

21:51 | 8 Maj 2020
Arbresh.info

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se 7 policë të Kosovës të prekur me COVID-19 janë në shërim e sipër.

Qalaj në RTV Dukagjini ka folur për rastin e suspendimit të Drejtorit të Njësisë Speciale.

“Ju e dini që fatkeqësisht që Drejtori i Njësisë Speciale bashkë me një zyrtarë tjetër të Njësive Speciale ka vendosur të dalë në një lloj pikniku me disa qytetarë e që ka qenë një shkelje mjaft serioze pasi ne është dashur të jemi shembull e të ndihmojmë qytetarët të mos shkelin ato masa”, tha ai.

Komandanti i Njësisë Speciale në Policinë e Kosovës, Amir Gërguri, është suspenduar nga puna me 21 prill pasi tri ditë para kësaj date ai kishte dalë për piknik me disa qytetarët tjerë të Kosovës.

Qalaj ndryshe është shprehur mjaft i kënaqur me punën e policisë së Kosovës në këtë kohë pandemie.

Ai ka thënë se të gjitha orët shtesë do të paguhen ashtu siç ka ndodhur në vazhdimësi.

“Ne jemi shumë të kujdesshëm në menaxhimin e buxhetit dhe deri sot nuk ka ndodhur që të vonohet pagesa për orët shtesë”.

Qalaj ka treguar edhe numrin e policëve të prekur direkt nga coronavirusi.

“Në total kemi pasur gjithsejtë 11 policë të infektuar me COVID-19. Katër prej tyre tashmë janë shëruar dhe të tjerët janë në shërim e sipër. Po ashtu kemi një numër të madh të policëve që janë të vet izoluar pasi që kanë qenë jashtë vendit në trajnime të ndryshme apo për shkaqe tjera”, tha ndër të tjera Rashit Qalaj.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme