Google ADS

ATK shënon ulje prej 26 përqind të të hyrave

16:56 | 8 Maj 2020
Arbresh.info

Administrata Tatimore e Kosovës dhe gjatë gjendjes me pandeminë e koronavirusi është angazhuar që të realizojë objektivat e parapara.

Mirëpo, ndikimi i pandemisë COVID 19, po rezulton dukshëm me rënie të inkasimit të të hyrave sipas projeksioneve të planifikuara, pasi që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, periudha për pagesa të detyrimeve tatimore dhe kontribute pensionale është zgjatur deri me 15 maj 2020, si dhe pagesa e kësteve tremujore është zgjatur deri me 30 qershor 2020, transmeton portali arbresh.info.

Në kumtesën e ATK-së thuhet se ka pasur rënie të të hyrave të inkasuara për periudhën janar-prill 2020.

“Gjendja aktuale e të hyrave të inkasuara për periudhën janar-prill 2020 është 141.9 milion euro, që i bie se kemi rënie për 26.2% nëse e krahasojmë me planin. Ndërkaq, nëse i referohemi periudhës së njëjtë të viti 2019 jemi më pak për 28.1%”, thuhet në njoftim.

Vlen të theksohen se ATK ka pas një performancë të shkëlqyer të të hyrave, ku për periudhën 01 janar deri me 17 mars 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019 , kemi pasur rritje prej 11.2 % , si dhe për të njëjtën periudhë kemi pasur tejkalim të planit për 3.62%.

Po ashtu, ATK nga data 12 mars 2020, pas vendimit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve ka ndihmuar Qeverinë e Republikës së Kosovës me masat për parandalim të koronavirusit, duke pranuar denoncime nga qytetarët dhe kryerje të inspektimeve të bizneset, të cilat kanë keqpërdoruar situatën e krijuar nga koronavirusi për të rritur çmimet e artikujve bazikë ushqimorë dhe shëndetësor. Andaj, në mënyrë që të zbatohet në përpikmëri ky vendim, ATK ka ulur në minimum aktivitetet e rregullta sipas Planit të Punës për vitin 2020.

Gjithashtu, janë zhvilluar edhe një mori aktivitetesh tjera në funksion të përkrahjes së masave të qeverisë, të cilat janë ndërmarr me qëllim të luftimit dhe parandalimit të COVID 19./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme