Nga: Idriz Morina
Provokimi i pakënaqësive vazhdon. Ndërsa, pritet që e premtja të jetë një ditë me rreziqe për ballafaqime ndërmjet opozitës dhe pushtetit, ndodhi dje një skenar tjetër, u shkarkua rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu. Shkarkimi siç pritej shkaktoi indinjatë dhe reagime të mëdha në opinion sepse kishte kohë që ishte bërë paralajmërimi për shkarkimin e tij.
Është interesant se si po zhvillohet kjo betejë, përveç reagimeve të opinionit, ajo që ra në sy është se reagoi edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve, e cila ka vite që nuk reagon për asnjë çështje kombëtare. Ajo nuk ka reaguar as për bisedimet në Vjenë, për pakon e Ahtisarit, as nuk ka reaguar për bisedimet në Bruksel dhe Marrëveshjet me Serbinë, dhe madje as për demarkacionin me Malin e Zi, humbjen e mijëra hektarëve tokë. Madje akademikët nuk e dinë as sa kilometra katrorë i ka Kosova, por ata kanë emocione dhe dinë të reagojnë vetëm për lëkurë të vet!
Ne tashmë po shohim (si opinion sepse ne si gazetarë kemi shkruar prej vitesh, por gjërat shkuan gjithnjë e më keq) se sa e korruptuar dhe e komprometuar është kjo shkencë e jona, ky universitet, që na ofron veç tjerash edhe shëndetësi të korruptuar, veç dijes së komprometuar! Tashmë po e shohim një betejë të përzier klanesh – grupesh e bandash pa fund, grupi Llapit kundër atij të Drenicës, grupi i Dukagjinit, i ndarë më dysh, dhe opinionin që gllabëron gjithçka ofron interpretimi nga jashtë.
Dhe të vjen keq kur e sheh një burrë që me madhështi dikur i kundërvihej këtyre ‘brigadave’, të lodhur e të molepsur, të zënë në senduiç dhe të mbështetur nga gjithkush dhe madje nga askush, sepse shumë nga mbështetësit janë rrënuesit e djeshëm të Mjekësisë, fakultetit dhe shëndetësisë, para së gjithash si ‘Grupi i Llapit’ dhe zjarrvënësit e të gjitha belave në universitet, që veç posteve dhe gradave, asgjë nga shkenca dhe edukimi nuk duan. Pas mbrojtjes nga (Dr) Remi – alias (Dr.) Europa, po i mungon ta mbrojë publikisht edhe komandant “Lata”!
Janë po këta që e instruktuan rektorin, që të shkelte ligjin, në vend që të mbaronte punë me bandat apo ti hapte shteg, një lufte që më nuk pret.
Por, vështirë që në këtë mes akademikët të ndihmojnë ndonjë gjë, ata që si institucion asnjë fjalë patriotizmi- atdhedashurie nuk thanë, përveç në raste individuale, nuk reaguan asnjëherë për proceset në Kosovë, por gjetën mundësi dhe kohë që historianin më antishqiptar e bën hero Shmidin- anëtar Akademie, që guxoi ta poshtërojë Skënderbeun dhe historinë shqiptare, ndërsa ne i dhamë ofiqe, sepse atë na e serviri shoqëria okultiste surroiste, në emër të çmitizimit(!) të gjithçkaje shqiptare, edhe të trashëgimisë ilire, të heqjes dorë ende pa e studiuar të një prej pasurive më të mëdha, trashëgimisë gojore, kodit të besës, Kanunit, eposit, melosit, këngëve të folklorit, përrallave, legjendave, miteve, dhe të gjithçkaje që neve na lidh pashkëputshëm me të kaluarën tonë, historike dhe parahistorike, atëherë kur grekët nuk dihej se kush ishin, dhe kur ne i mësuam të këndojmë, për perënditë, heronjtë… Pra, në emër të ‘njeriut të ri’, ne kurrë të mos e themi të vërtetën tonë të shkuar, por ta veshim mashtrimin që del hapur si atë, Shmidian, tjetërsimin që nuk ndalon kurrë nëpërmjet imponimit të mësimeve nga të tjerët!
Edhe kjo nuk është çështja që duam ta trajtojmë në këtë shkrim, por thjesht të vëmë në spikamë se kjo bela tash po u konvenon të gjithëve, opozitës për të akuzuar pushtetin, ndërsa pushtetit në rastin e parë për ta larguar vëmendjen nga belaja më e madhe e nesërme, që mund të përcaktojë fatet e kombit dhe jo të individëve, dhe po ashtu si një skenar shtesë për të nxjerrë sa më shumë njerëz në rrugë, sa më shumë të pakënaqur, që do të thotë sa më shumë zjarr, sa më shumë dhunë, e në fund sa më shumë viktima, xhelatët të fshijnë duart nga gjaku shqiptarë me kënaqësinë e Pon Pilatit! Poshtë Bajrami, Rroftë Arsimi! Mjerim!
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...