Klubi spanjoll zbulon datat për kthimin dhe mbylljen e sezonit të La Ligës

10:36 | 8 Maj 2020
A. B.

Trajneri i Leganes, Javier Aguirre, i ka zbuluar planet e La Ligës për ta rinisur sezonin 2019/20 më 20 qershor, ndërsa si datë të përfundimit të këtij sezoni është vendosur 26 korriku.

Përderisa ende nuk është lëshuar ndonjë deklaratë zyrtare nga liga elitare e futbollit në Spanjë për t’i konfirmuar planet për rinisjen e sezonit, trajneri meksikan pretendoi se tashmë kjo informatë i ishte komunikuar atij nga autoritetet e La Ligës, transmeton Gazeta Express.

Autoritetet e futbollit në Spanjë kanë qenë duke punuar që një kohë me qeverinë e vendit për të tentuar ta gjejnë një mënyrë se si mund t’i rinisin ndeshjet për ta përfunduar sezonin aktual të kampionatit.

“Ne tashmë e kemi një datë për rinisjen e ligës. Më 20 qershor, ne do ta nisim sërish La Ligën dhe brenda pesë javëve do ta përfundojmë zyrtarisht ligën, më 26 korrik”, kat hënë Aguirre.

“Ndeshjet do të luhen të shtunave dhe të dielave, si dhe të mërkurave dhe të enjteve, në 11 data”.

“La Liga sapo më ka informuar zyrtarisht për këtë dhe kjo më ka bërë shumë të lumtur sepse në tashmë i kemi caktuar seancat stërvitore”.

“Ne nisim nesër. Për fat të mirë i kemi kaluar testet”.

Klubet spanjolle këtë javë kanë filluar t’i hapin kampet stërvitore për lojtarët, mirëpo kjo është bërë për t’i testuar lojtarët e pastaj atyre do t’u lejohet të kthehen në stërvitje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme