Provohet teoria e Ajnshtajnit, yjet “kërcejnë” në orbitat gravitacionale të vrimës së zezë

13:40 | 7 Maj 2020
Arbresh Info

Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit vazhdon të vërtetohet. Lëvizja e yjeve përqark orbitave gravitacionale është dokumentuar nga fizikanët duke theksuar vlerën e teorisë mbi 100 vite pas formulimit.

Fizikanët kanë gjetur një tjetër provë që përligj teorinë e relativitetit të parashikuar nga Albert Ajnshtajni mbi një shekull më parë.

Një grup astronomësh evropianë të Observatorit Jugor në Kili njoftuan të enjten se teoria zbatohet edhe për yjet në largësi 26 mijë vjet-dritë nga Dielli.

Pasi u mbajt nën vëzhgim për tri dekada me radhë, u vërejt se si pasojë e gravitetit yje të ndryshme lëvizin në orbitën e vrimës së zezë të njohur si “Shigjetari A”, në qendër të Rrugës së Qumështit.

“Ka shumë prova për ekzistencën e vrimave të zeza, por për ta thënë këtë na u desh të tregojmë dy gjëra, që objekti është masiv por në të njëjtën kohë kompakt, dhe se Teoria e Përgjithshme e Relativitetit e formuluar nga Ajnshtajni përshkruan saktë se si ndodh kjo në natyrë,” shprehet fizikania Alehandra Himenez.

Vrimat e zeza janë rajone të galaksisë të krijuara nga shpërberja e yjeve gjigante me një fushë gravitacionale jashtëzakonisht të madhe.

Sipas teorisë fillestare të matematikanit dhe fizikanit anglez, Isak Njuton, yjet lëvizin rreth këtyre vrimave në orbita eliptike, ndërsa në variantin e ideuar nga Ajnshtajni, orbitat nuk janë të mbyllura, por vijojnë.

“Faza tjetër e hetimit tonë do të jetë gjetja e yjeve që ndodhen edhe më afër vrimës së zezë, për të zbuluar se si afria mes objekteve ndikon lëvizjen e tyre astrologjike,” tregon ekspertja e Institutit Maks Plank për Fizikën Jashtëtokësore.

Astronomët shpresojnë se duke matur lëvizjen dhe masën, hapësirën dhe kohën përqark vrimës së zezë do e testonin më tej teorinë e relativitetit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme