Malishevë, shkon në 71 numri i të shëruarve nga COVID-19

22:35 | 6 Maj 2020
Arbresh.info

Numri i të shëruarve në Komunën e Malishevës është rritur në 71 persona.

Kjo është e bërë e ditur nga Komuna e Malishevës përmes një komunikate, pas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në lidhje me rezultatet e analizave të ditës së sotme.

“Sonte përfundimisht janë shëruar edhe 11 qytetarë të tjerë të Komunës së Malishevës, të cilët paraprakisht, ishin të prekur me virusin korona. Shërimi i 11 pacientëve, është konfirmuar nga komunikimi me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pasi 11 të shëruarit, edhe në testin e dytë, kanë rezultuar negativ”, thuhet në komunikatë.

Pas këtij lajmi të mirë për Malishevën, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenies Sociale, Liridon Hoti, i kanë uruar të shëruarit dhe i kanë falënderuar qytetarët për kulturën e treguar gjatë kësaj periudhe, duke kontribuar në mospërhapjen e virusit.

Edhe katër pacientëve aktiv, nënkryetari Berisha dhe drejtori Hoti, ju kanë dëshiruar shërim të shpejtë, si dhe thanë se “do të vazhdojmë të përcjellim gjendjen e tyre, deri në shërimin e plotë”.

Gjendja me COVID-19 në Komunën e Malishevës, është si vijon: Nga 76 të prekur me virusin korona, 71 prej tyre janë shëruar, 4 raste janë aktive dhe një rast ka pësuar me fatalitet./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme