Google ADS

Osmani takoi Shefin e UNICEF-it në Kosovë, diskutojnë për fëmijët me nevoja të veçanta

17:28 | 6 Maj 2020
Arbresh.info

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani-Sadriu, priti në takim shefin e UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.

Ajo e falënderoi Sahin dhe zyrën e UNICEF-it në Kosovë për rolin që kanë luajtur në lehtësimin e menaxhimit të situatës me pandeminë Covid-19, ndihmën me pajisje për personelin mjekësor, si dhe për pakot higjienike për familjet në nevojë.

Po ashtu, kryetarja Osmani vlerësoi lart dhe angazhimin e UNICEF-it në përfshirjen e Kosovës në programin ‘Learning Passport’, të cilin UNICEF-i e realizon në partneritet me Microsoft-in dhe Universitetin e Kembrixhit.

Ajo u njoftua me programet aktuale të UNICEF-it në Kosovë dhe me mundësitë për bashkërendim të aktiviteteve me qëllim të rritjes së vetëdijes së publikut mbi këto çështje.

Z. Sahin, ndërkaq, e njoftoi kryetaren Osmani se UNICEF-i është i përqendruar në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në fuqizimin e rinisë dhe të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Kryetarja Osmani shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur aktivitete që kanë ndikim të prekshëm dhe janë të qëndrueshme.

Ajo theksoi se ligjet dhe politikat në vendin tonë duhet të kenë prioritet ndikimin në jetën e njerëzve. Tutje, ajo nënvizoi se institucionet duhet të mobilizohen po ashtu që këto ligje dhe politika të jetësohen me sukses.

Theks i veçantë gjatë diskutimeve ishte edhe rëndësia e zhvillimit të hershëm të fëmijëve dhe sigurimi i infrastrukturës së nevojshme për qasje në institucionet parashkollore, gjë që përfundimisht do të ndikonte në zhvillimin ekonomik në vend, në sigurimin e barazisë gjinore dhe në rritjen e mirëqenies së përgjithshme shoqërore.

Të dy palët u pajtuan për bashkëpunim të mëtutjeshëm në dizajnimin dhe jetësimin e nismave që ndikojnë në përmbushjen e objektivave të lartcekura./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme