Mbretëria e Bashkuar tejkalon Italinë, bëhet vendi më i prekur nga koronavirusi në Evropë

08:37 | 6 Maj 2020
Arbresh Info

Mbretëria e Bashkuar konfirmon se numri i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 29.427, duke tejkaluar kësëhti Italinë dhe duke u bërë vendi më i prekur nga koronavirusi në Evropë

Mbretëria e Bashkuar është bërë shteti me numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Evropë, pasi kjo shifër u rrit në 29.427, transmeton arbresh.info.

Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, njoftoi se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 693 persona.

Me këtë, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar numër më të lartë të vdekjeve se Italia, e cila për një kohë të gjatë ishte epiqendra e përhapjes së koronavirusit në Evropë. Në Itali, sipas të dhënave të fundit, nga COVID-19 kanë vdekur gjithsej 29.315 pacientë.

Sipas numrit të viktimave nga koronavirusi, Mbretëria e Bashkuar tani është shteti i dytë në botë pas SHBA-së.

Numri i të infektuarve me COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 194.990, me 4.406 raste të reja.

Në vend janë bërë gjithsej 1.383.842 teste, prej të cilave 84.806 në 24 orët e fundit.

Sekretari Raab tha se lufta kundër pandemisë nuk do të jetë e lehtë në periudhën e ardhshme.

Vendi më 23 mars kufizoi daljen e qytetarëve në rrugë dhe mbylli bizneset, me përjashtim të marketeve dhe farmacive. Pas 16 prillit, masat u zgjatën për tre javë të tjera, ndërsa më 7 maj, qeveria pritet të rishikojë kufizimet dhe të publikojë një udhërrëfyes për të normalizuar vendin./arbresh.info/AA

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme