Sipas mikrobiologut Lul Raka, Kosova s’është pjesë e OBSH-së shkaku që nuk ka aplikuar
Mikrobiologu Lul Raka, ka thënë në Interaktiv të KTV-së se Kosova nuk është pjesë e OBSH-së për shkak se “për të pranuar diku, duhet të aplikosh”.
“Aplikimin duhet ta bëjë Kryetari, Kryeministri, Ministri i Shëndetësisë ose ai i Punëve të Jashtme”, ka thënë Raka, duke thënë se pas pavarësisë ka ekzistuar një nismë “që nuk ka shkuar deri në fund”. Ai e ka sqaruar se kur është në pyetje anëtarësimi në këtë trup botëror, nevojitet një shumicë e thjeshtë.
Megjithatë, kur është në pyetje reagimi gjatë pandemisë, ai ka thënë se Kosova konsiderohet storie e suksesit.
“Gjithsesi, duhet të konsiderohet storie e suksesit me kapacitetet që i ka pasur dhe investimet në shëndetësi qe 20 vjet. E dijmë që shpenzimet qeveritare për kokë banori në Evropë janë më të ulëtat bashkë me Molldavinë”, ka thënë ai, duke thënë se Kosova nuk mund të krahasohet me shtetet e rajonit.
Ai është shprehur optimist, teksa numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë vazhdon të shënojë rënie.
“Ky zvogëlim i numrit të rasteve është vazhdim i trendit dhe lajm jashtëzakonisht i mirë. Është e pritshme që masat restriktive të MSH-së kanë dhënë rezultat”, ka thënë ai.
Raka i ka elaboruar këto masa, duke iu referuar si “gërshetim tredimensional i shëndetit, komponentës socio-eknomike dhe asaj të të drejtave të njeriut”.
“Është një trekëndësh dhe secili ‘Lufton për karrige’. Qysh prej fillimit kemi treguar se prioritet është shëndeti, pa kurrfarë dileme”, ka thënë ai.
Mikrobiologu Raka kësisoji i është referuar reagimeve rreth paralajmërimeve për recesion dhe humbjeve në sektorin e biznesit. Me këtë rast e ka përmendur citatin e një storieje se “megjithatë, njerëzit i frikësohen më shumë vdekjes, sesa recesionit”.
“Humbjet janë numra, kurse jeta e njerëzve nuk ka çmim”, ka thënë ai.
Për Rakën, masat e ndërmarra nga Qeveria gjatë pandemisë nuk kanë pasur alternativë.
“Alternativë tjetër është modeli suedez, por ne nuk jemi Suedi”, ka thënë ai, duke shtuar se të njëjtat masa i kanë marrë edhe shumë shtete tjera në botë.
“Qëllimi kryesor i masave restriktive është të mos tejkalohet kapacitetit shëndetësor i secilit shtet dhe kjo është arritur në Kosovë”, ka thënë Raka, duke elaboruar që synimi ka qenë që mjeku të mos mbërrijë në gjendje të vendosë se kush do të futet në respirator e kush të vdesë. Ai ka me këtë rast përmendur shembullin e Italisë dhe Spanjës.
“Koha ka treguar që masat kanë qenë të duhurat. Mbyllja e shkollave edhe para se të shfaqet një rast ka treguar se ka qenë vendim i drejtë”, ka thënë ai.
Raka ka treguar për studimin e bërë nga Kolegji Mbretëror i Londrës për masat restriktive në 11 shtete të Evropës, studim ky që ka dëshmuar që deri më 31 mars janë shpëtuar 59.000 jetë njerëzish falë pikërisht këtyre masave.
“Parandalimi shpëton jetë dhe është çelës i përballjes së një virusi që nuk e njeh askush”, ka thënë ai.
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë