Deputetja e PDK-së Besa Ismajli ka reaguar pas deklarimeve të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia rreth dorëheqjes së mundshme për shkak të vetëvrasjes së një të riu nga Gjilani që ishte në karantinë në Prishtinë.
Në një postim në Facebook, deputetja Ismajli shkruan se deklarata se kinse ministri Vitia ka menduar dorëheqjen, por nuk do ta japë pasi do të merret me zbardhjen e vetëvrasjes së Agon Musliut, është një akt i ulët dhe njëherësh është një fyerje e madhe që i bëhet së pari kujtimit të viktimës, familjarëve të tij, por mbarë opinionit publik.
“Prandaj Vitia i Vetëvendosjes, jo vetëm që duhet të jap dorëheqje dhe të mbajë përgjegjësi ligjore për rastin tragjik të Agon Musliut, por duhet edhe të përndiqet nga prokuroria për mashtrim të shumëfishtë”, ka shkruar Ismajli.
Postimi i plotë:
Deklarata e dhënë prej ministrit të shkarkuar e të diskredituar të shëndetësisë, Arben Vitia, se kinse e ka menduar dorëheqjen por nuk do ta japë sepse do të merret me zbardhjen e vetëvrasjes së Agon Musliut është një akt i ulët. Kjo deklaratë është një fyerje e madhe që i bëhet së pari kujtimit të viktimës, familjarëve të tij, por mbarë opinionit publik.
Duhet hipokrizi për të bërë këtë deklaratë, kur dihet se ministri në ikje i shëndetësisë është drejtpërdrejtë në krye të zinxhirit komandues për karantinën dhe për rrjedhojë përgjegjës. Karantina është themeluar me vendim të ministrisë, mbikqyret prej saj dhe askush nuk del prej saj pa firmën e ministrit Vitia. Pra ka qenë Vitia ai që ka pasur mundësi ta shpëtonte me firmën e tij të riun 26 vjeçar nga Gjilani.
Por për ministrin e shkarkuar që tashmë edhe Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar si shkelës ligjor, mashtrimi është bërë traditë dhe nuk i bën më aspak përshtypje. Në pak javë në pozitën e ministrit, Vitia ka bërë së paku katër mashtrime të mëdha publike që janë demantuar .
Mashtrimin e parë e bëri me raportimin e të dhënave të përhapjes së sëmundjes, duke u përpjekur që të minimizonte përmasat. Për një ministria e shkarkuar e Vitisë nuk raportoi të infektuarit dhe të vdekurit e Kosovës që janë të përkatësisë serbe. Këtë mashtrim e ndreqën vetëm para dy-tre javësh kur i përfshinë të dhënat e shtetasve kosovarë në raportimet zyrtare të Kosovës.
Mashtrimin e dytë e bëri në 28 mars kur deklaroi se kanë mbërritur 7000 teste në Kosovë, duke dashur që të ballafaqojë me këtë rrenë kritikat e mëdha që dha PDK-ja për numrin e vogël të testeve. Këtë mashtrim e pranoi vetë në studio televizive.
Mashtrimi tjetër u bë në fillim të prillit kur Vitia u përpoq që të mashtronte opinionin publik duke thënë se karantinimi i dy komunave të veriut të Kosovës u bë prej qeverisë e jo prej strukturave paralele serbe. Dokumentet që dolën e demaskuan këtë mashtrim të ulët sepse vendimi i strukturave të Beogradit u morr në 3 prill dhe vendimi i firmosur prej tij ishte në 9 prill.
Mashtrimi i katër publik ishte përpjekja e tij për të thënë se për rastin tragjik të Agon Musliut, nuk ka pasur informacione specifike për probleme shëndetësore. Dokumentet e nxjerra për korrespondencën e kryer me ambasadën kosovare në Gjermani si dhe me qendrën emergjente të Gjilanit dëshmuan qartë se institucionet kanë qenë në dijeni për problemet e Agonit por i kanë shpërfillur e neglizhuar me pasoja fatale për jetën e djalit.
Prandaj Vitia i Vetëvendosjes, jo vetëm që duhet të jap dorëheqje dhe të mbajë përgjegjësi ligjore për rastin tragjik të Agon Musliut, por duhet edhe të përndiqet nga prokuroria për mashtrim të shumëfishtë.
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstac...
Rama: Shqipëria Turistike, në gjigantin mediatik amerikan Wa...
Chelsea kthehet te fitorja, triumfon në udhëtim te Leicester...
Sulmet izraelite në Gazë, shkon në 189 numri i gazetarëve të...
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Shtërpcë, policia ni...
Osmani takohet me ministren kanadeze, diskutojnë për situatë...