Rusia, prej disa vitesh eksportuesja më e madhe e grurit në botë, e ka pezulluar furnizimin e tregut botëror me grurë. Ndalimi i eksporteve erdhi me paralajmërim. Qysh në fund të muajit mars, Moska vendosi që për muajt prill-qershor ta kufizonte në shtatë milionë tonë eksportin e grurit, thekrës, elbit dhe misrit, në shtetet jashtë Bashkimit Ekonomik të Euroazisë, ku bëjnë pjesë gjithsej pesë vende post-sovjetike.
Kjo kuotë shteri qysh në fund të prillit. Por duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të grurit në tregun botëror si edhe dobësimin e rublës, shitja e drithërave jashtë shtetit është veçanërisht e leverdishme për kompanitë ruse. Kjo ishte edhe arsyeja se përse qeveria e pezulloi eksportin: për të mbrojtur tregun vendas nga rritja e çmimit të bukës dhe ngushtimi i ofertës në treg.
Të ardhurat po pakësohen me shpejtësi
Një ndërhyrje e tillë e shtetit në treg, nga perspektiva e brendshme, është e kuptueshme në kohëra pasigurie, siç është pandemia e koronës. Disa javë më parë, edhe disa vende aziatike si Vietnami dhe Kina, vepruan ngjashëm dhe e kufizuan eksportin e orizit.
Por për ekonominë ruse dhe buxhetin e shtetit, kjo ngrirje e eksportit nënkupton një humbje të mëtejshme të të ardhurave në valutë të huaj, për të cilën vendi ka mjaft nevojë. Kompanitë dhe konsumatorët rusë janë shumë të varur nga importi i një morie mallrash. Ndërsa eksportet bazohen vetëm në tri shtylla: lënda e parë, armët dhe drithërat.
Banka Qendrore e Rusisë llogarit se të ardhurat nga eksporti do të ulen me 40 përqind.
Çmimi i naftës ka rënë në përmasa katastrofale. Çmimi i gazit po ashtu. Në kohërat e COVID-19, nuk ka ndonjë kërkesë të madhe për tanke dhe raketa. Dhe tani Rusisë i duhet të heqë dorë edhe nga të ardhurat e grurit.
Banka Qendrore e Rusisë llogarit se të ardhurat nga eksporti do të ulen me 40 përqind nga 419 miliardë dollarë në vitin 2019, në 250 miliardë në vitin 2020, dhe do të qëndrojnë nën nivelin e 2019-ës deri në vitin 2022. Do të jetë edhe më keq për vendin, nëse çmimet e naftës do të zbresin nën nivelin e parashikuar dhe Moskës do t‘i duhej ta zgjaste me muaj të tërë ndalimin e eksportit të grurit.
Ndryshimi i klimës mund të shkaktojë një thatësirë në vitin 2020. Sidoqoftë, kjo është mjaft e mundur, sepse meteorologët tashmë paralajmërojnë se viti 2020 mund të jetë një nga pesë vitet më të ngrohta që nga fillimi i regjistrave të motit apo edhe më i nxehti. Në vendet ku rriten shumë drithërat, ku hyn edhe Gjermania, tokat tashmë janë shumë të thata. Hambari i drithit të Rusisë, jugu evropian i saj, ankohet prej kohësh për mungesë reshjesh.
Pra, nëse ndryshimet klimatike do të sjellin thatësira dhe korrje të dobëta të grurit në vitin e krizës së Koronës, Moska ka shumë të ngjarë që ta mbajë ende të ngrirë eksportin. Hera e fundit, kur Rusia ndali eksportin e drithërave zgjati plot dhjetë muaj e gjysmë: nga 15 gushti 2010 deri më 30 qershor 2011. Nëse do të kemi një situatë të ngjashme tani, kjo nuk do të ndikojë vetëm buxhetit dhe këmbimi valutor.
Kriza urie në vendet e varfra
Një mungesë e gjatë e furnizuesit më të madh të drithit do të çonte padyshim në mungesë të furnizimit me ushqim në tregun botëror. Sidomos nëse edhe prodhuesit e tjerë të produkteve bujqësore do ta pezullonin eksportimin. Për vendet më të pasura të goditura nga recesioni i koronës, kjo do të sillte një rritje të kostos së jetesës. Por për vendet më të varfra dhe shumë të varfra, pasoja do të ishte krizë urie. Ajo uri që, siç paralajmëron OKB-ja mund të marrë ndoshta “përmasa biblike” në rrethanat e një pandemie.
Andrej Gurkov
Por uria është gjithmonë një bombë në shoqëri. Shumica dërrmuese e ekspertëve, mendojnë se embargoja ruse e grurit, në vitin 2010 ishte ajo që e mbushi përfundimisht kupën e pakënaqësisë në vendet e Lindjes dhe çoi në të gjitha kryengritjet dhe revolucionet që u quajtën më vonë “Pranvera Arabe”.
Këto tronditje patën pasoja të shumta serioze: për Evropën, ndër të tjera, një krizë të paparë refugjatësh, Rusia vetë mori pjesë në dy luftëra – zyrtarisht në Siri dhe jozyrtarisht në Libi.
Shpresë për korrje të mira
Embargoja aktuale e përkohshme e Rusisë për grurin duhet të kuptohet si një sinjal paralajmërues.
Fatkeqësisht, asgjë nuk mund të ndryshojmë, por, së paku, duhet të jemi të vetëdijshëm për pasojat e mundshme të saj. Dhe sigurisht, të shpresojmë se Rusia do të ketë një korrje të mrekullueshme këtë vit dhe se së shpejti do të rikthehet në tregun botëror si furnizuesja kryesore me grurë. Ky do të ishte skenari më i mirë për të gjithë.DW
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...