Gjilani fillon masat lehtësuese në disa sektorë ekonomik

14:31 | 4 Maj 2020
Arbresh.info

Komuna e Gjilanit ka vlerësuar gjendjen e përballjes me COVID-19 dhe Komiteti për Menaxhimin e Emergjencave, ka konfirmuar se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka asnjë rast të ri me Coronavirus.

Gjilani ka nisur të krijojë masat lehtësuese të marra për parandalimin e Coronavirusit dhe ky lehtësim i masave duhet të vije gradualisht dhe me një kontroll, ka bërë të ditur kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Jemi duke hyrë në fazën e uljes së rasteve me COVID-19. Gjilani ka në tretman 26 raste të cilat po monitorohen në vazhdimësi nga ekipet e kujdesit shëndetësor, sikur që edhe rastet që janë duke u trajtuar në spital. Gjilani është duke zbatuar masat e reja që ka lansuar Qeveria e Kosovës për sektorin privat, duke filluar hapja graduale e bizneseve dhe ekonomisë. Komisioni komunal ka përgatitur të gjitha detajet lidhur me bizneset që duhet të punojnë”, ka potencuar Haziri, në konferëncën e sotme për media.

Ai ka theksuar se, sektori privat ka nevojë të mbështetjes dhe të funksionimit, sepse gjendja nëpër të cilën ka kaluar vendi për këta dy muaj, ka qenë vështirësi e madhe në stabilitetin e tyre.

Në fushën e mbështetjes për rastet me gjendje të vështirë ekonomike dhe sociale në këtë fazë të përballjes është rritur kartela e nevojave të mbështetjes.

“Deri në këtë fazë janë mbështetur 3,940 familje me pako sociale dhe janë nën kujdesin e vazhdueshëm të komisionit komunal. Prej tyre 120 familje janë rome, 88 serbe dhe 26 turke. Donacionet që kanë ardhur në Gjilan janë nga një shtrirje e gjerë, që nga bizneset, njerëzit e vullnetit të mirë, diaspora, shoqatat e ndryshme, etj.”, ka thënë kryetari Haziri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme