Aguero nuk e përjashton rikthimin në La Liga

17:18 | 2 Maj 2020
A. B.

Sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero nuk do të përjashtojë një rikthim në Spanjë, aty ku bëri karrierë disa vite te Atletico Madridi.

Kontrata e Argjentinasit në Etihad Stadium zgjat deri në qershor të vitit të ardhshëm pasi kishte nënshkruar një zgjatje një vjeçare në vitin 2018, por një largim nga City është shumë i mundshëm.

“Është e vështirë; nuk po mendoj se çfarë do të bëj. E di që çdo ditë kontrata ime është më afër skadimit. Me siguri do të ketë disa oferta, por ne do t’i shohim”, ka thënë fillimisht Aguero për El Chiringuito.

“Tani për tani thjesht dua të përpiqem të fitoj Ligën e Kampionëve me Cityn. Kjo do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për mua dhe klubin”.

“Por, unë nuk kam menduar vërtet se çfarë do të bëj pas vitit 2021. Gjithashtu koha aktuale i bën gjërat më të vështira. Nëse sezoni i ardhshëm fillon më vonë, ai ndoshta do të përfundojë më vonë – mbase në gusht, diçka e tillë”.

“Dhe shumë lojtarë kanë kontratat e tyre që skadojnë në qershor. Do të duhet të shohim se si zgjidhet gjithçka. Nëse kontratat zgjaten nuk e di, do ta shohim se si shkon”.

“Nuk e përjashtoj rikthimin në Spanjë, ose të shkoj në ndonjë vend tjetër. Nuk e di se çfarë do të bëj”.

“Sot ndjehem mirë dhe rehat në Manchester. Dua të bëj gjithçka në të mirë të klubit, por më vonë do të shohim”, përfundoi argjentinasi. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme