Shkruan: Gurakuç Kuçi
Historia e harruar por që nuk kapërdihet është burgosja e 70 fshatarëve nga fshati Llabjan i Pejës me 1 maj 1999 nga forcat serbe. Burgosja e tyre në një shtëpi të improvizuar në Zahaq, ku nga aty mbetën 7 burra të vrarë dhe zhdukur e gjysma e tyre akoma nuk janë gjetur. Ndër të zhdukurit është edhe gjyshi im (babai i nënës) Cen Alush Kelmendi e këtë histori mund ta rrëfej në vetën e parë. Në këtë burg si fëmijë 9 vjeçar kam qenë edhe unë. Historinë se si ka ardhur deri tek lëshimi nga burgu të grave e fëmijëve mund ta tregojë më së miri vetëm babai im. E gjitha një histori e pa-rrëfyer, një histori që askujt në Kosovë nuk i intereson. Një histori po aq e pa-rrëfyer mbetet maskara e 21 burrave në fshatin Zahaq, e po e njëjtë mbetet e panjohur për masën rrëfimi i masakrës në Pavlan të 12 civilëve të gjithë të pafajshëm e mos të flasim për drejtësinë. Të gjitha këto raste të veçanta, të dhimbshme dhe të tmerrshme mbeten nën hije e masakrës së Qyshkut. Të gjitha këto janë raste të ndara të kryera nga kriminelët e njëjtë dhe të gjitha meritojnë vëmendje. Nëse ne i ngulfasim ngjarjet, i amnistojmë krimet e forcave Serbe. Pra, janë katër masakra (Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan) secila më e tmerrshme se tjetra dhe katër rrëfime lufte për të cilat nuk bën të amnistohet askush. Janë katër rrëfime që duhet shkruar e memorizuar përjetësisht, si martirë, civilë të vrarë, masakruar dhe zhdukur pafajësisht.
Sot kur përkujtohen këto katër masakra, politikanët i shkruajnë disa rreshta vetëm sa për kamuflazh, por 1 majin e Llabjanit që ishte dje askush nuk e kujtoi.
Nuk ka as një histori të shkruar, apo ndonjë dokumentar për këto katër masakra veç e veç. A e di ndokush si është të jetojë një baba në Zahaq që i ka humbur pesë djemtë?
Fshati Zahaq kufizohet me fshatin Gorazhdevc i cili është i banuar kryesisht me serbë, një fshat ku paralel institucioneve të Kosovës gjenden edhe ato të Serbisë. Në këtë fshat i cili ruhej paslufte nga KFOR-i si gjitha enklavat dhe fshatrat serbe me 13 gusht 2003 ishte lajmëruar vrasja e dy të rinjve serbë kinse teksa notonin në lumin që e ndan fshatin Zahaq me Gorazhdevcin.
Mirëpo, që nga ajo kohë e vërteta nuk është zbuluar asnjëherë, sepse në të vërtetë aty faktet tregonin dhe tregojnë sikur edhe tani të hulumtohet, për një rast të manipuluar sikur PANDA në Pejë. Të rinjtë kishin vdekur pasi duke tentuar të zënë peshk me gjenerator elektrik në lumë, i kishte zënë rryma dhe më pastaj ishte bërë kamuflimi i ngjarjes si vrasje me armë, aty ka pasur edhe të tjerë të rinj serb. Kujtojmë se për rastin PANDA në Pejë Serbia e ka pranuar fajin që atë krim nuk e kanë kryer shqiptarët por vetë serbët. E edhe rasti në Gorazhdevc ka qenë një rast i manipuluar, pasi manipulimi me një rast të tillë aso kohe zvarriste apo ndalonte dhënien Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës projektin e ashtuquajtur “Standardet për Kosovën para Statusit Final”.
Në këtë fshat të banuar me serb është pllaka përkujtimore ku shkruan së është krim i bërë nga terroristët shqiptarë. Kësaj pllake dhe këtij krimi me 13 gusht 2016, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i është përkulur dhe i ka bërë nderime. Po i njëjti nuk ka denjuar që tu bëjë nderime krimeve të serbëve në Zahaq që nuk është as një kilometër nga Gorazhdevci, në Llabjan apo Pavlan. Një gjest të tillë, Thaçi, e kishte bërë edhe në fshatin Grackë.
Në Kosovë raste të harruara dhe të vakumizuara si ajo e Zahaqit, Llabjanit e Pavlanit, ka me qindra. Vakumizimi i këtyre rasteve dhe përqendrimi vetëm në një numër të masakrave amniston drejtpërdrejt Serbinë nga krimet e kryera në Kosovë. Vakumizimi i ngjarjeve të tilla një ditë do të vakumizoj dhe vë në harresë edhe masakrat si ajo e Reçakut, Mejës, Obrisë, Qyshkut, etj.
Veprime të tilla nuk po bëhen rastësisht dhe vakumizimi e ndrydhja e vrasjeve, masakrave, dhunimeve, torturave, burgimeve, e lloj lloj gjesteve jo humane të bërë nga Serbia në Kosovë.
Politika po amniston krimet serbe në Kosovë, dhe kjo u fillua nga Thaçi me vizitën në Grackë dhe Gorazhdevc e tani po kërkohet amnistia për krimet serbe publikisht edhe nga njerëzit e tij.
Pra, për fund, lënia mënjanë e shumë masakrave, vrasjeve e krimeve të Serbisë në Kosovë, ashtu si lënia anash edhe e shumë betejave të UÇK-së dhe vakumizimi i tyre duke përmendur vetëm disa ngjarje më të mëdha, krijon amnisti për Serbinë deri sa dikur fillojnë të vakumizohen e harrohen edhe krimet e betejat e mëdha dhe kjo duhet të ndalohet. Ne nuk duhet të jemi një Republikë e Gjarprit, por duhet të jemi Republika e qytetarëve të Kosovës. Pa drejtësi nuk ka paqe dhe kjo është dëshmuar me qindra raste nëpër botë.
Një varr për gjyshin tim.
______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Shkollës së Mesme P...
Arrestohen tre persona në Pejë, për vepra të ndryshme penale
Vrasja e të riut nga Peja në SHBA, reagon motra e viktimës: ...
“Nuk do të kemi mëshirë ndaj askujt”, Mickoski e quan akt ag...
“Prishtina gjithmonë do të jetë krah Tiranës”, Komuna publik...
Superliga rikthehet në aksion me ndeshje interesante