Hoti pranon vendimin e Kushtetueses, thotë se nuk do të lejojë të nëpërkëmben institucionet

11:50 | 2 Maj 2020
Arbresh.info

I mandatuari nga LDK-ja për kryeministër, Avdullah Hoti pas pezullimit të dekretit të Presidentit, ka reaguar me një shkrim, duke thënë se vendimi duhet të pranohet nga të gjithë.

Hoti thotë se nuk ka rrugë të dytë, vetëm duke pranuar vendimet e Kushtetueses avancohet demokracia, transmeton portali arbresh.info.

Tutje i nominuari tha se kushdo që mundohet të shfrytëzojë këtë kohë të masës së përkohshme për të degraduar institucionet do të zhgënjehet keq.

Ky është shkrimi i tij i plotë pa ndërhyrje:

Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohet nga të gjithë, pa asnjë kundërshtim, me urtësinë dhe detyrimin që kemi ndaj vendimeve të këtij institucioni gardian të Kushtetutës. Vetëm kështu e avancojmë demokracinë tonë. Nuk ka rrugë të dytë.

Në anën tjetër, kushdo që e shfrytëzon këtë kohë të masës PËRKOHSHME për të degraduar institucionet ekzekutive të vendit, rrënimin e ekonomisë dhe përdorimin e pandemisë për të shkelur liritë tona themelore, do të zhgënjehet keq, siç po zhgënjehen çdo ditë përmes shpalljes së vendimeve të tyre kundër kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Shumica parlamentare në Kuvendin e Republikës, duke e zgjedhur një Qeveri të re në përputhje me Kushtetutën, nuk do të lejojë që qytetarët dhe institucionet të merren nëpër këmbë nga struktura politike pa legjitimitet./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme