1 Maji, dita ndërkombëtare e punës

07:52 | 1 Maj 2020
Arbresh.info

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887. Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve. Sindikata botërore e caktoi 1 Majin – ditë, në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre, transmeton Kosova Press.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që 1 Majit të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme