Google ADS

‘Tërmet’ në ekonominë amerikane, 4,8 përqind rënie për tre muaj

09:45 | 30 Prill 2020
Arbresh Info

Rënia në tremujorin e parë ndodh për shkak të përhapjes së COVID-19, tha Byroja e Analizave Ekonomike e SHBA-së

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në SHBA ka shënuar rënie prej 4,8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020, sipas një deklarate të vlerësimit paraprak të publikuar nga Byroja e Analizave Ekonomike pranë Departamentit Amerikan të Tregtisë.

Sipas të dhënave të publikuara, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, PBB-ja amerikane ka shënuar rritje prej 2,1 për qind.

Në deklaratë thuhet se “rënia e PBB-së në tremujorin e parë, pjesërisht është për shkak të përgjigjes ndaj përhapjes së COVID-19, pasi qeveritë lëshuan urdhra për ‘qëndrim në shtëpi’ në muajin mars”.

Pas masave të ndërmarra për të frenuar përhapjen e virusit, si mbyllja e shkollave dhe ndërmarrjeve, shpenzimet e konsumatorëve u anuluan ose u kufizuan dhe kjo situatë në masë të madhe ndryshoi kërkesën.

“Ulja e PBB-së reale në tremujorin e parë reflektoi kontributet negative nga shpenzimet e konsumit personal (PCE), investimet fikse jorezidente, eksportet dhe investimet private që pjesërisht u kompensuan nga kontributet pozitive nga investimet fikse rezidenciale, shpenzimet e qeverisë federale, si dhe shpenzimet e qeverisjes shtetërore dhe lokale”, theksoi Byroja e Analizave Ekonomike.

Ekonomia amerikane u përball me tkurrje edhe në vitet 2008/09, pas krizës financiare.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve nga koronavirusi ka tejkaluar shifrën 3,13 milionë, me rreth 218 mijë të vdekur dhe rreth 938 mijë të shëruar./AA

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme