Google ADS

Coronavirusi, dështimi më i madh i shekullit

01:23 | 30 Prill 2020
Trina Galanxhi

Ne e dinim që po vinte. Në paralajmërimin e saj për botën në 1994, The Coming Plague, Laurie Garrett thotë: “Ndërsa raca njerëzore lufton veten, duke luftuar mbi burimet gjithnjë e më të pakta, avantazhi kalon në anën e mikrobeve. Ata janë grabitqarët tanë dhe do të jenë fitimtarë nëse ne, Homo Sapiens, nuk mësojmë se si të jetojmë në një fshat racional global, që u jep mikrobeve disa mundësi”.

Nëse mendoni se gjuha e saj është hiperbolike, merrni në konsideratë analizën më të matur nga Instituti i Mjekësisë në SHBA në vitin 2004.

Ai vlerësoi mësimet e shpërthimit të Sars 2003, duke cituar Goethen: “Të dish nuk është e mjaftueshme; duhet të aplikosh. Vullneti nuk është i mjaftueshëm; duhet të bësh”. Ai arriti në përfundimin se kontrolli i shpejtë i Sars ishte një sukses në shëndetin publik, por edhe një paralajmërim … Nëse Sars përsëritet … sistemet shëndetësore në të gjithë botën do të vihen nën presion ekstrem … Vigjilenca e vazhdueshme është jetësore”.

Por bota i injoroi këto paralajmërime.

Përgjigja globale ndaj Sars-CoV-2 është dështimi më i madh i shkencës së kësaj gjenerate. Sinjalet ishin të qarta. Hendra në 1994, Nipah në 1998, Sars në 2003, Mers në 2012 dhe Ebola në 2014; këto epidemi të mëdha njerëzore u shkaktuan të gjitha nga viruset që origjinën e kishin nga kafshët dhe kaluan te njerëzit. Covid-19 është shkaktuar nga një variant i ri i të njëjtit koronavirus që shkaktoi Sars-in.

Detyra e parë e qeverisë është të mbrojë qytetarët e saj. Rreziqet e një pandemie mund të maten dhe përcaktohen. Siç treguan Garrett dhe Instituti i Mjekësisë, rreziqet e një epidemie të re janë njohur dhe kuptuar që nga shfaqja e HIV-it në vitet ’80. Që atëherë, 75 milion njerëz janë infektuar nga sëmundja dhe 32 milion kanë vdekur. HIV mund të mos ketë përfshirë botën me të njëjtin ritëm si Sars-CoV-2, por hija e tij e gjatë duhet të ketë paralajmëruar qeveritë që të përgatiten për një shpërthim të një virusi të ri.

Gjatë një krize, publiku dhe politikanët u drejtohen ekspertëve. Por në këtë rast, ekspertët – shkencëtarët që kanë modeluar dhe simuluar të ardhmen tonë të mundshme – bënë supozime që dolën të gabuara. Mbretëria e Bashkuar e imagjinoi se pandemia do të ishte njësoj si gripi i zkanoshëm.

Në mënyrë të kundërt veproi Kina. Kur qeveria kuptoi se një virus i ri po qarkullonte, zyrtarët kinezë nuk këshilluan larjen e duarve apo një etiketë më të mirë në mënyrën e kollitjes, por e mbajtën të fshehtë dhe më pas u detyruan të karantinonin qytete të tëra dhe mbyllën ekonominë.

Disponueshmëria e pajisjeve të përshtatshme për mbrojtjen e infermierëve dhe mjekëve ka qenë jashtëzakonisht e keqe për shumë punonjës të shëndetit publik. Disa spitale e kanë menaxhuar mirë. Por shumë nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë as pajisjet e nevojshme për ekipet e tyre të frontit.

Nëse Covid-19 përfundimisht imunizon qeniet njerëzore, është e mundur që ne, në fund të fundit, të nxjerrim mësime prej kësaj pandemie vdekjeprurëse. Ose mbase do të zhytemi përsëri në kulturën tonë dhe do të presim murtajën e rradhës.

Për t’u bazuar në historinë e fundit, murtaja e rradhës do të vijë më shpejt nga sa mendojmë. /ScienceNews – Bota.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme