Google ADS

Rusi, shënohet kulmi i vdekjeve ditore nga COVID-19

13:46 | 29 Prill 2020
Arbresh Info

Numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Rusi ka arritur në 99.399 ndërsa numri i të vdekurve në 972.

Autoritetet ruse sot raportuan 108 vdekje të reja nga koronavirusi (COVID-19) që paraqet shifrën më të lartë ditore që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë në vend, transmeton arbresh.info.

Numri i të vdekurve arriti në 972, tha ekipi i urgjencës në një deklaratë, ndërsa 5.841 njerëz rezultuan pozitivë me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke e rritur numrin e përgjithshëm në 99.399.

Për më tepër, 199.000 persona qëndrojnë nën mbikëqyrje mjekësore me dyshime të infeksionit.

Numri i të shëruarve ka arritur në 10.286 pasi 1.830 persona dolën nga spitalet.

Presidenti rus, Vladimir Putin të martën paralajmëroi vazhdimin e karantinës në vend deri më 11 maj, me qëllim të zvogëlimit të mundësisë së përhapjes së virusit.

Putin tha se falë masave të ndërmarra në kohë, Rusia arriti të përgatitet siç duhet për t’u ballafaquar me virusin, të riorganizojë sistemin e kujdesit shëndetësor, ilaçet dhe pajisjet mjekësore. Ai tha se të gjitha këto rezultuan në uljen e numrit të rasteve dhe vdekjeve.

Vazhdimi i masave përfshinë pezullimin e aktiviteteve të punës dhe mbylljen e qyteteve të mëdha, përfshirë kryeqytetin Moskë dhe qytetin e dytë më të madh Shën Petersburgun.

Gjithashtu, Putin udhëzoi që qeveria të përgatisë deri më 5 maj rekomandime për daljen graduale të karantinës dhe një plan kombëtar për rigjallërimin e ekonomisë dhe aktiviteteve të biznesit, ndërsa të merren masat e nevojshme kundër rikthimit të virusit.

Pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19 është përhapur në të gjithë botën. Aktualisht Evropa dhe SHBA janë rajonet më të goditura.

Pandemia ka marrë më shumë se 217.350 jetë njerëzish në të gjithë botën, me 3.11 milionë të infektuar ndërsa afro 935.000 pacientë janë shëruar, tregojnë shifrat e përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA./AA

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme