Rritja rajonale në Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë në mes të -3 dhe -5.6 për qind, sipas publikimit të fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore – i cili shqyrton skenarin bazë dhe skenarin më pesimist.
Skenari bazë supozon se masat frenuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit dhe rimëkëmbja graduale të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2020. Skenari më pesimist supozon se shpërthimi do të zgjatet dhe masat frenuese do të mund të hiqen vetëm në fund të gushtit, me rimëkëmbje të aktivitetit ekonomik vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2020.
Aty thuhet se ekonomia e Kosovës mund të pësoj rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020,shkruan arbresh.info.
“Për Kosovën, raporti parashikon që ekonomia do të pësojë rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020 (skenari bazë), e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021. Shpërthimi i COVID-19 dhe masat e nevojshme të frenimit janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitancat nga diaspora. Ndërsa konsumi mund të rikthehet ndërkohë që ekonomia rimëkëmbet, eksportet e shërbimeve dhe investimet do të marrin më shumë kohë për t’u rimëkëmbur. Në këtë kontekst, të hyrat publike do të pësojnë rënie të konsiderueshme”, thuhet në raport.
BB ka bërë të ditur se tejzgjatja e pandemisë dhe masave frenuese mund të çojnë në recesion më të thellë.
“Për shkak se Kosova hyri në krizë me disa mbulesa fiskale (depozita të larta qeveritare, borxh relativisht të ulët publik), ajo tani ka pak hapësire fiskale për të zbutur efektet e pandemisë, megjithëse kjo hapësirë është e kufizuar nga rritja e njëkohshme e shpenzimeve rrjedhëse. Sidoqoftë, tejzgjatja e pandemisë dhe masave frenuese mund të çojnë në recesion më të thellë dhe mungesë më të madhe të të hyrave, duke kufizuar më tej hapësirën fiskale për përgjigje në nivel të politikave. Përveç shtyrjes së përgjithshme të pagesave të detyrimeve tatimore, qeveria në detyrë veproi me shpejtësi dhe shpalli pakon e reagimit ndaj emergjencës prej rreth 2.8 për qind të PBB-së për të mbështetur qytetarët, bizneset dhe profesionet e prekura. Shënjestrimi adekuat në ofrimin e pakos për më nevojtarët mbetet vendimtar për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm në ekonomi, varfëri dhe shoqëri”, vazhdon raporti.
Ndërsa është bërë e ditur se Kosova do të ndihmohet me një vlerë prej mbi 120 milionë euro.
Banka Botërore është duke finalizuar një program aktivitetesh, që është mund të tejkalojë 120 milionë euro, për të mbështetur Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të COVID-19. Ky program përfshin një projekt të ri me procedura të përshpejtuara për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit të shëndetësisë dhe për të mbrojtur të ardhurat e ekonomive familjare, përfshin ristrukturimin e projekteve tashmë të aprovuara për të mobilizuar fondet në mbështetje të NVM-ve, si dhe mbështetje buxhetore për rimëkëmbjen ekonomike dhe për t’i ndihmuar autoritetet që të plotësojnë nevojat e tyre të financimit”, thuhet aty.
“Banka Botërore është e përkushtuar të mbetet partner i fortë për Kosovën gjatë këtyre kohërave të vështira dhe ekipet tona po punojnë për t’i ndihmuar Kosovës dhe për t’iu përgjigjur sa më shpejt krizës së COVID-19”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën. “Pas aprovimit nga Banka Botërore, është i nevojshëm nënshkrimi i shpejtë i marrëveshjes nga Qeveria si dhe ratifikimi nga Kuvendi për të siguruar që fondet janë në dispozicion për të përfituar Kosova dhe qytetarët e saj”, përfundon raporti./arbresh.info/
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...