Google ADS

Spanja me plan me katër faza do të heqë masat e izolimit

10:09 | 29 Prill 2020
Arbresh.info

Spanja ka njoftuar një plan me katër faza për të hequr një nga izolimet më të ashpra në Evropë, si dhe kthim në normalitet në fund të qershorit.

Kryeministri Pedro Sanchez tha se heqja e kufizimeve që kanë ndaluar jetën publike që nga 14 marsi dhe gati paralizuan ekonominë, do të nisë me 4 maj dhe dallon prej provincës në provincë, transmeton portali arbresh.info.

Gjatë fazës fillestare, parukeritë dhe bizneset tjera që operojnë me terminë do të hapen, kurse restorantet do të mund të punojnë në shërbime të marrjes me vete të porosisë (takeway).

Në fazën tjetër, e parashikuar të fillojë më 11 maj për pjesën më të madhe të Spanjës, baret do të rihapin tarracat e tyre, por do të kufizohen në një të tretën e kapacitetit të tyre.

Nga kjo pikë, njerëzit e shëndetshëm pa kushte themelore mjekësore do të lejohen të shoqërohen së bashku në grupe të vogla, ndërsa anëtarëve të familjes do të lejohen të marrin pjesë në funerale.

Përparimi brenda fazave do të varet nga faktorë të tillë si mënyra se si evoluon shkalla e infeksionit, numri i shtretërve të kujdesit intensiv në dispozicion dhe pajtueshmëria me rregullat distancuese, tha Sanchez, pa siguruar pragje konkrete për një vlerësim të tillë.

Autoritetet lokale janë përgjegjëse për monitorimin e kushteve në rajonet e tyre, por Ministria Kombëtare e Shëndetësisë do të ketë fjalën e fundit nëse një krahinë ec përpara.

Puna në distancë do të rekomandohet kur është e mundur deri në arritjen e fazës së fundit të planit deri në fund të qershorit, kur plazhet gjithashtu do të jenë në gjendje të rihapen me mbështetjen e autoriteteve lokale.

Sanchez shpjegoi se qeveria kishte zgjedhur të mos caktojë afate të sakta për lehtësimin e bllokimit, për dallim nga vendet si Italia, për të shmangur humbjen e tyre në atë situatë të rrjedhshme.

“Gjëja e rëndësishme është të rifillojmë aktivitetet tona në mënyrë që të shmangim me të vërtetë këtë dramë që po jetojmë”, i tha Antonio Garamendi, kreu i shoqatës së biznesit CEOE, për radio RNE.

Sanchez paralajmëroi se do të ketë një recesion të “shkallës së jashtëzakonshme” këtë vit që do të kërkojë një përgjigje të jashtëzakonshme nga Bashkimi Evropian./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme