09:44 | 27 Prill 2020
Arbresh.info
Qeveria e Kosovës ka shkarkua bordin e Ndërmarrjes Publike Kompania Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjoni Jugor” në Prizren.
Përkeqësimi i pasqyrave financiare, shpenzimet e pakontrolluara, dhe investimet e dyshimta janë disa nga gjetjet e Qeverisë në këtë ndërmarrje, shkruan arbresh.info.
Po ashtu donatorët ndërkombëtarë janë ankuar vazhdimisht për pengesa në projekte investive për shkak të mosbashkëpunimit të menaxhmentit, teksa bordi nuk ka adresuar situatën
“Qeveria ka shkarkuar bordin e kësaj ndërmarrjeje dhe ka emëruar një bord të përkohshëm. Theksojmë këto gjetje:
- Opinioni i auditorit — Gjendja me pasqyrat financiare është përkeqësuar nga viti në vit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për vitin 2017, që domethënë se pasqyrat financiare kanë pasur gabime materiale në disa aspekte. ZKA ka dhënë opinion të kundër për vitin 2018, që domethënë se pasqyrat financiare nuk pasqyrojnë gjendjen e vërtetë në të gjitha aspektet. Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi bordin e shkarkuar, që ka qenë i emëruar më 2015, ka pranuar pasqyrat financiare dhe nuk ka marrë masa për të adresuar çështjet.
- Shpenzimet e pakontrolluara — Përgjatë viteve 2016 e 2017, ndërmarrja ka shpenzuar rreth 50 për qind më shumë nga ç’ka planifikuar të shpenzojë. Për 2016, s’janë planifikuar as 3,5 milionë euro shpenzime, por janë harxhuar mbi 5 milionë. Për 2017, s’janë planifikuar as 3,5 milionë, e janë shpenzuar gati 5,4 milionë euro. Ndërmarrja ka planifikuar mbi 8 milionë shpenzime për 2018-tën, shumë përtej shumës së planifikuar dhe të shpenzuar në vitet paraprake. (Raportet e ZKA-së)
- Mosrealizimi i projekteve — Donatorët ndërkombëtarë janë ankuar vazhdimisht për pengesa në projekte investive për shkak të mosbashkëpunimit të menaxhmentit. Bordi nuk ka adresuar situatën.
- Investimet e dyshimta — Ndërmarrja ka dhënë një tender për të shpuar puse të ujit mes puseve ekzistuese. Çdo person laik do të mund të këshillonte ndërmarrjen se shpimet e reja nuk do të rrisnin sasinë e ujit që mund të nxirret. Në rastin e KRU Hidroregjionit, sasia e ujit që nxirret nga këto puse ka rënë”, thuhet në gjetjet e Qeverisë së Kosovës./arbresh.info/