Flet infermierja shqiptare që fitoi betejën me Covid në Itali

23:47 | 26 Prill 2020
Trina Galanxhi

Valbona Kalaj,  e cila punon si infermiere në Itali, është shëruar plotësisht nga koronavirusi. Valbona u infektua në spital, në Bergamo, aty ku ishte në frontin e parë të “luftës”.

Në një intervistë për Abc News me Mirela Milorin, ajo nuk i fshehu emocionet se më në fund ka dalë negative nga Covid-19, pas disa testeve të kryera.

“Po e kalova. Ju them të vërtetën unë në fillim nuk jam trembur nga kjo situatë sepse nuk kisha shqetësime të mëdha. Por kur tamponët filluan të përsëriteshin pozitive u tremba. Në realitet kaloi gjithçka mirë.

Unë isha vetëm e izoluar në shtëpi. Me kalimin e ditëve, temperaturën 37 e gjysmë e kam pasur ndonjëherë, nuk ndjeja edhe shijen e ushqimeve që haja. Doktoresha më këshilloi që të vazhdoja një antibiotik, pas datës 16 mjekët që më bënë tamponin e dytë më këshilluan të kontrolloja edhe mushkëritë”, tha ajo

Valbona rrëfen se tani është mirë dhe ajo që e gëzon më shumë është fakti se nesër do të rikthehet sërish në punë,  për t’u bërballur me koronavirusin.

“Tani jam mirë. Kënaqësia ime më e madhe ishte ti njoftoja të gjithë të afërmit e mi. Periudha e karantinë,s i kam zbatuar rregullat, në shtëpinë time kam qendruar e izoluar. Mami dhe vajza merreshin me punët e shtëpisë. 14 ditë kanë qendruar edhe ato të izoluara. Pastaj vajza dhe mami kanë pasur të drejtë të dilnin. Në momentin që shkoja për të bërë tampone, isha vetëm spital-shtëpi”, u shpreh ajo.

Infermierja tregon se gjëja e parë që ka bërë pasi doli negative, përqafoi vajzën dhe madje e gëzoi fakti se mund të dilte të bënte pazar vetë, pas shumë javëve në izolim total.

“Situata po përmirësohet. Infektimi nuk është si në fillim. Është një situatë që nuk do të thotë të ulim kujdesim, sepse është akoma e nxehtë. Por situata është nën kontroll. Kur dola impakti i parë ka qenë ajo kënaqësia e madhe për të bërë pazarin unë. Nuk jam mësuar të rri e mbyllur brenda. Ideja që do shkoj  nesër në punë më gëzon.

Ne si komb e kemi imunitetin të fortë. Unë nuk kam frikë. Mezor pres momentin që nesër të shkoj në punë. Gjëja e parë që kam bërë kur erdha në shtëpi, vajza mu hodh në qafë, mami më në fund do të të përqafoj. Më ka munguar ai përqafimi i saj shumë”, tha Valbona. /abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme