Krimet, Dick Marty dhe gabimi i Shkelzenit

00:13 | 26 Prill 2020
Trina Galanxhi

Çdo herë kemi dënuar krimin serb – së paku në mënyrë deklarative. Jo vetëm ne, por pothuaj e gjithë bota. Edhe raporti i Dick Martyt e cilësonte agresionin e Serbisë ndaj Kosovës si “fushatë e çmendur për qëllime të pastrimit etnik nga ana e diktatorit të Beogradit”. Nga ana tjetër, nuk ka dënime selektive të krimit. Aq sa dënojmë krimin serb, duhet të dënojmë krimin e bërë nga individë shqiptarë. Disa individë nuk mund të njollosin luftën e drejtë çlirimtare. Këtu Hashimi, Ramushi dhe Shkelzeni pajtohen plotësisht.

Në këtë kontekst, edhe e kam përkrahur përkuljen e Presidentit Thaçi para viktimave serbe të luftës në Kosovë. E kam përkrahur sepse është me rëndësi që të lëmë të kaluarën në histori, e të përqafojmë të ardhmen. E kam përkrahur sepse është me rëndësi për të dëshmuar secilit që ka humbur anëtar familje, që të gjithë kemi humbur. Të gjithë po vuajmë. Sidoqoftë, vuajtja duhet të përfundoj dikur dhe paqja dhe bashkëjetesa duhet të fillojnë. Po, aty në lapidarin e ngritur shkruante “terroristë shqiptar”, por përkundër asaj e konsideroj më të rëndësishmen gjestin e paqes së Presidentit Thaçi si mesazh për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnie, se sa dhunimin e mermerit me një fjali të shpifur nga ca shovinistë mesjetar.

Është e vërtet që Serbia ka përgjegjësinë morale, historike dhe politike që të bëjë hapin e parë të kërkim faljes dhe pajtimit. Por pse mos të bëjmë ne? Pse mungesa e moralit të Serbisë, të na ndaloj neve të vendosim standardin tonë moral? Fundja, qytetarët e pafajshëm serb të vrarë në Kosovë kanë qenë qytetarë tonë, jo të Serbisë. Ia kemi borxh vetës.

Në të njëjtin kuptim e vlerësoj lartë edhe kauzën fisnore të Shkelzenit për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës. Në këtë kohe pandemie, kur liderët partiak kanë abdikuar çfarëdo përgjegjësie shtetërorë, Shkelzeni ishte zë freskues i arsyes në mbrojtje të të gjitha viktimave të luftës. Nga ana tjetër, po ashtu kuptuam që takti diplomatik nuk është ana më e fortë e Shkelzenit.

DICK MARTYN E LEJUAM NE

Për 20 vite nuk kemi arritur të dëshmojmë botës që jemi të aftë për të hulumtuar, ndjek dhe dënuar krimet e luftës. Ne nuk jemi të aftë, në fakt, as për shumë më pak. Ne nuk po arrijmë të sjellim para drejtësisë as një grusht njerëzish që nga përfundimi i luftës – pa asnjë aktivitet ekonomik – krijuan pasurinë e barabartë me Ramiz Kelmendin; ndërsa, pjesa dërrmuese e luftëtarëve të lirisë ose kanë ikur nga vendi që kanë liruar, ose presin transferin social mujor për ushqim dhe barna. Pakica janë diku në mesin e këtyre dyjave. Aq shumë e degraduam luftën çlirimtare, sa që sakrificën sublime të luftës çlirimtare të veteranit e shndërruam në lojërat e pista të pazareve politike. Atë që e kuptuam vetë, e kuptoj edhe bota. Shteti i munguar i drejtësisë u gjunjëzua në Republikën tonë. Ardhja në skenë e akuzave të Dick Martyt ishte vetëm çështje kohe. Por nga ana tjetër, Dick Martyt nuk i frikësohet askush. Aq më pak një ushtar i UÇK-së. Dick Martyt i frikësohen vetëm disa matrapazë.

Rezoluta për trajtim çnjerëzor dhe trafikim ilegal organesh e Këshillit Evropës ishte disfata më e madhe diplomatike në historinë moderne të Kosovës. Ajo hodhi balt mbi luftën çlirimtare të Kosovës dhe dhunoj imazhin e Kosovës si shtet modern dhe multi-etnik në botë. Ata që në vend të vërtetës së zorit, e dëshirojnë rrenën e qejfit thonë: Dick Marty është pro-serb dhe pro-rus. Por, rezoluta u votua me 169 vota nga 45 shtete. Vetëm 8 vota ishin kundër nga 4 shtete.

Nuk dua të them që Rusia dhe Serbia nuk i kanë keqpërdorur deklaratat e ish-prokurores Carla Del Ponte, duke iniciuar mocionin për krimet e pretenduara. Në fakt, inciuesi i atëhershëm i mocionit është sot Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit të Rusisë dhe Zëvendës Sekretar i Presidencës së Partisë së Putinit. Z. Kosachev njihet si një nga njerëz më të afërt të Putinit. Sidoqoftë, ajo çfarë dua të them është se me mos ndërtimin e një sistemi të fuqishëm dhe kredibil të drejtësisë kemi lejuar që armiq të jashtëm të keqpërdorin këtë dobësinë tonë në avantazhin e tyre.

Është fatkeqësi që asnjëherë nuk e kemi marr seriozisht fuqizimin e Republikës tonë brenda kufijve, në mënyrë që të avancojmë shtetin tonë jashtë kufijve. Disfata në rastin e Rezolutës së KiE-së, dhe më pas Gjykata Speciale, është kostoja e këtij dështimi.

GABIMI I SHKELZENIT

Për aq sa është e dëshmuar në gjykatat vendore dhe ndërkombëtare, përgjegjësi të barabartë në vrasjen e civilëve serb kanë Shoqata Kulturo Artistike “Hajdar Dushi” dhe UÇK-ja. Me fjalë të tjera zero. Shkelzeni bëri gabim momental analogjie. Po ashtu, të thuash se Dick Marty është mik i shqiptarëve edhe mund të jetë hipotezë e mbrojtshme debatuese (e pastron luftën e UÇK-së), por kjo është hipotezë e pa mbrojtshme politikisht (WTF?!).

Sidoqoftë, Shkelzeni nuk është politikan. Është intelektual. Prej tij mos pritni xhentilin e politikanit, por rigorozitetin e intelektualit. Në kërkim të sinqertë dhe fisnor të vërtetës për viktimat e pafajshme të luftës, të gabosh është edhe e pranueshme. Jo sepse gabimi është minor, por sepse qëllimet i ke sublime. Dje Shkelzeni gaboj në disa formulime politike, por ka qenë i saktë në kërkimin e drejtësisë për viktimat shqiptarë, serb, rom, boshnjak dhe tjerë. Sidoqoftë, titullin e vendit të punës e kishte këshilltar POLITIK, dhe rrjedhimisht për një gabim politik shkarkimi ishte i paevitueshëm.

GABIMET NUK JANË TË BARABARTA

Gabimi i Shkelzenit është semantik. Rezultati i gabimit të Shkelzenit janë ca tituj të momentit për konsum partiak në këtë fshatin tonë të vogël. Gabimi i klasës politike të këtyre 20 viteve është fatal. Gabimet e tyre e mohuan drejtësinë, dëmtuan UÇK-në, themeluan Gjykatën Speciale, cenuan sovranitetin, na poshtëruan ndërkombëtarisht dhe na barazuan me Serbinë.

Tani kjo tendenca e orëve të fundit të shoqërisë tonë që të merremi me semantiken e Shkelzenit, e jo me thelbin e mohimit të drejtësisë dhe shkatërrimin e vendit nga klasa e degraduar politike është shpjegim më i mirë i probleme të thella që kemi. E preferojmë gjysmë vërteten e thjeshtësuar, para të vërtetës së ndërlikuar. Duke huazuar nga ushtari i lirisë, Frashër Oseku: “neve si popull na kandja me na lye me kos”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme