Kadaj-Bujupi: Do të procedoj Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës

14:59 | 25 Prill 2020
Arditë Shkodra

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se do të procedoj Ligjin Për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës.

Deputetja ka deklaruar se mbrojtja e UÇK-së duhet të institucionalizohet.

“Nuk është hera e parë, e siç po shihet as e fundit, që brutalisht sulmohet ADN e shtetit tonë. Sulmet vijnë prej fronteve të ndryshme, herë prej “burrështetasve” që tentojnë të faktorizohen e të hynë në hatër me agjenda ndërkombëtare, e herë prej ojqistëve që tentojnë të zgjasin financimet e projekteve të tyre. Rezultati është i njëjti, pra të gjitha këto rryma çojnë ujë në mulli të Serbisë, e cila vazhdimisht sulmon të vërtetën historike të popullit të Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Kadaj-Bujupi ka theksuar se vetëm me Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës, nënat shqiptare nuk do të përballen me deklarata fyese.

“Andaj, si anëtare e Komisionit për ligje në Parlamentin e Kosovës, në mbledhjen e radhës do të procedoj Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës (për të cilin ka pasur iniciativa edhe më herët por është kthyer në pikën zero).
Në këtë mënyrë nënat shqiptare që humbën më të dashurit e tyre gjatë agresionit serb në Kosovë, nuk do të përballen me deklarata fyese e denigruese për bijat e bijtë e veta”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme