Bëhet gati dhe spitali i tretë COVID-19

14:14 | 25 Prill 2020
Arditë Shkodra

Me planin e hapjes graduale të lëvizjeve qeveria ndërmerr masa për të hapur dhe spitalin e tretë COVID-19.

Ai do të jetë spitali i ish kirurgjive në QSUT dhe do të presë rastet që janë në fazë shërimi, në rast se do të ketë një shtim të të prekurve.

“Po punojmë për të zgjeruar kapacitetet dhe kemi filluar punën për të përshtatur ish-shërbimet e kirurgjive në një spital, i cili do të shërbejë për të sëmurët me Covid-19, për përgatitjen e sistemit shëndetësor për fazën e hapjes. Është një strukturë e cila është e mjaftueshme përsa i përket pacientëve të cilët janë në fazë shërimi dhe duhet vetëm të bëjnë periudhën e kovalishencës, ku do të shërbejë ish-klinika një dhe më pas edhe dy klinikat e tjera të cilat po bëhen gati për të pritur rastet, nëse do të kemi një fluks të të sëmurëve me Covid-19”, u shpreh gjatë një inspektimi në QSUT, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Liberalizimi i masave- Nga e hëna e javës tjetër në dy qarqe dhe në 7 bashki lëvizja do të jetë më e liberalizuar pavarësisht masave kufizuese.

Ndërkohë sot u raportuan 34 raste të reja me Covid-19 në vendin tonë, duke e çuar numrin total të të prekurve në 712. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet dhe në Mat dhe zgjerohet në Krujë, Tiranë, Kukës, Kurbin, Berat, Fier, dhe Lushnje.

“Ne jemi duke përgatitur planin e masave, i cili është i fokusuar në tre drejtime kryesore. Ka të bëjë me testimet, ka të bëjë me kapacitetet spitalore dhe ka të bëjë gjithashtu me gjithë aspektin monitories përsa i përket atyre të cilët janë të infektuar me Covid19, apo edhe rasteve asimptomatike që duhen mbajtur nën kontroll, për të mundësuar shkëputjen e zinxhirit të infeksionit ashtu siç parashikojnë edhe kriteret epidemiologjikë”, tha Manastirliu.

Po planifikohet dhe rihapja e bute e sistemit shendetesor- Gjatë inspektimit në QSUT, Manastirliu tha se po planifikohet rihapja e butë e sistemit shëndetësor për vizitat, konsultat dhe ndërhyrjet operatore, në mënyrë graduale.

“Po tregohemi shumë të kujdesshëm, për të bërë rihapjen e butë dhe të sistemit shëndetësor përsa i përket planifikimeve, përsa i përket konsultave ambulatore, përsa i përket sistemit të vizitave që qytetarët sidomos ato që janë me sëmundje kronike duhet të kryejnë në sistemin tonë, qofë në atë parësor edhe në atë spitalor. Ndaj jemi duke punuar për të krijuar një kalendar të hapjes sipas disa niveleve të sistemit shëndetësor duke filluar sigurisht nga struktura bazë që është kujdesi parësor dhe duke vijuar edhe në spitale”, u shpreh Manastirliu.

QYTETET QË PRITET TË HAPEN
Qarku i Gjirokastrës
Qarku i Dibrës
Bashkia Divjakë
Bashkia Konispol
Bashkia Sarandë
Bashkia Himarë
Bashkia Pogradec
Bashkia Përrenjas
Bashkia Librazhd

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme