Ministria e Punëve të Brendshme tregon për kë do të blej dyshekët e jorganët

09:55 | 24 Prill 2020
arbresh.info

Ditë më parë arbresh.info ka raportuar se Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës planifikoi të blej dyshek, set çarçafësh, jastëk dhe jorgan, sasia e të cilëve do të arrij në mbi 1 mijë copë.

Ndërsa vlera e parashikuar e kontratës është afër 10 mijë euro.

E, në një përgjigje nga MPBAP dërguar për arbresh.info kanë treguar se nga kush do të shfrytëzohen dyshekët e jorganët. Aty thuhet se të 4 llojet e artikujve janë blerë për akomodimin e azilkërkuesve.

“Ju njoftojmë se artikujt e cekur në kërkesën tuaj janë të nevojshëm për akomodimin e migrantëve / azilkërkuesve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Ndryshe në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se për 4 artikuj me 1020 copë vlera e parashikuar e kontratës është saktësisht 9.900,00.

Kohëzgjatja e kontratës është 5 ditë.

Te kushtet e pjesëmarrjes ndër të tjera thuhet se operatori ekonomik duhet t’i përmbush kërkesat mbi përshtatshmërinë në pajtim me Nenin 65 të Ligjit Nr. 04 L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04 L-237, ligjin Nr. 05 L-068 dhe ligjin Nr. 05 L-092.

Një nga kriteret e dhënies së kontratës është ofrimi i çmimit më të ulët.

Për kontratën me titull ‘Furnizim me dyshek, set çarçafësh, jastëk dhe jorgan’, afati i fundit për aplikim është 24 prill 2020 e tenderët duhet të dorëzohet në formë elektronike. Po në formë elektronike atë ditë do të bëhet hapja e tyre.

Në informacionet shtesë thuhet se operatorët ekonomik do të kenë të drejtë të dorëzojnë tenderin, kërkesën për pjesëmarrje dhe dokumentet e tjera të nevojshme apo dosjet të cilat u lejohen gjatë kryerjes së një aktiviteti të prokurimit në gjuhën Shqipe, Serbe dhe Angleze./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme