Google ADS

Incidenti në det, Trump paralajmëron Iranin: Nëse na afroheni të armatosur, do ju asgjësojmë

13:05 | 23 Prill 2020
Arditë Shkodra

Marina amerikane është udhëzuar të sulmojë dhe shkatërrojë çdo anije iraniane për arsye vetëmbrojtjeje, nëse ato provokohen sërish në det. Kërcënimet vijnë nga presidenti i vendit, Donald Trump, duke rindezur tensionet e janarit.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar Iranin të mos provokojë flotën amerikane në ujëra ndërkombëtarë, ndryshe do marrë përgjigjen që meriton.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë iu referua incidentit të javës së kaluar kur 11 anije që i përkisnin ushtrisë elitare të Iranit u afruan rrezikshëm me 6 mjetet lundruese të flotës amerikane në Gjirin Persik.

Teherani tha se anijet e vendit po patrullonin normalisht dhe se provokimin e nisi pala amerikane.

Por për Uashingtonin, ishin veprimet e kundërshtarit ato që shkelën protokollet detare.

“Ne e konsiderojmë kërcënim. Nëse i afrohen sërish anijeve tona dhe janë të armatosur, me një sasi të konsiderueshme armatimi në bord, do i asgjësojmë fare,” paralajmëroi presidenti Trump.

Raportet mes dy vendeve mbeten të tendosura që kur kreu i shtetit amerikan vendosi të pezullojë marrëveshjen historike për çarmatimin bërthamor të Iranit, duke e ndjekur atë me sanksione ekonomike.

Pika kritike u arrit në janarin e këtij kur dy rivalët rrezikuan precipitimin e situatës drejt një lufte konkrete, pasi SHBA-ja ekzekutoi gjeneralin e ushtrisë elitare të Iranit me akuzën e terrorizmit, ndërsa Teherani u përgjigj me sulme në bazat amerikane.

Një ditë më parë, Irani lëshoi të parin satelit ushtarak në orbitën e Tokës, duke shtuar dyshimet e ekspertëve se vendi tani disponon teknologji edhe për të prodhuar raketa balistike ndërkontinentale.

Sipas presidentit Trump, pamjet e satelitit mund të jenë përgatitur për audiencën televizive, dhe se Amerika është në dijeni të kapaciteteve të vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme