Google ADS

Moyes shpreson se ndërprerja do ta ndryshojë futbollin

09:34 | 23 Prill 2020
A. B.

Trajneri i West Hamit, David Moyes, shpreson se pandemia koronavirus do t’i detyrojë ekipet të mendojnë më thellë për shpenzimin e shumave të mëdha të parave që po bëhen për pagat e lojtarëve dhe për transferimin e tyre.

Pasi që Premierliga ka qenë e suspenduar që nga marsi, të gjitha 20 klubet e ligës elitare angleze pritet të humbin shuma të mëdha parash, pa marrë parasysh se kur do të vendoset të rinisë liga, transmeton Gazeta Express.

Të paktën, ekipet do t’i humbin paratë që i fitojnë zakonisht nga tifozët që shkojnë nëpër stadiume, pasi që kurdo që të kthehet liga, pritet të bëhet me ndeshje të zhvilluara prapa dyerve të mbyllura. Nëse liga vendoset të përfundohet para kohe, atëherë klubet do ta humbin një përqindje të madhe të parave që i sigurojnë çdo vit nga shitja e të drejtave televizive.

Pasiguria financiare ka bërë që disa klube të pajtohen me lojtarët dhe stafin josportiv për ulje page. Moyes beson se kriza aktuale mund të jetë një rast i mirë për ekipet për ta rivlerësuar shumën e parave që po e shpenzojnë.

“Ne shpresojmë se futbolli do ta pësojë gjithashtu një rinisje. Shpresoj që do të mendojmë për këtë dhe do të themi: “Ndoshta po e tepronim”. Njerëzit që drejtojnë klubet duhet të thonë: “A po e bëjmë gjënë e duhur? A do të mundë ta përballonim një gjë të tillë sërish?””, ka thënë Moyes.

“Ndoshta duhet t’i shikojmë edhe çmimet që po i paguajmë për lojtarë. Ne duhet t’i shikojmë edhe pagat e lojtarëve dhe pagat që ua kemi dhënë agjentëve. Ndoshta do të duhet t’i shikojmë të gjitha aspektet e ndryshme të industrisë”.

“Ne kemi ende rrugë të gjatë për t’u siguruar që do të dalim nga kjo situatë në të cilën jemi aktualisht. Nuk jam i sigurt se si do ta bëjmë këtë. Ne duhet të sigurohemi që të gjitha klubet e futbollit do të shpëtohen”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme