Google ADS

Pas Covid-19, Velijaj paralajmëron për fundjavë pa makina

23:51 | 22 Prill 2020
Trina Galanxhi

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se 400 mijë nga 800 mijë makina në Tiranë në normalitet, pra jashtë gjendjes së karantinës, lëvizin vetëm 1 kilometër, pra për të shkuar në vende të afërta me banesat apo punën.

Kryebashkiaku tha në Report Tv, se këto 5 javë karantine kanë sjellë atë që bashkia e Tiranës punoi për vite me radhë, qytetin pa makina.

Në këtë linjë, ai paralajmëroi se me kalimin e pandemisë COVID-19, do të shkohet në fundjavën pa makina, dhe do të ketë sanksione për ata që dalin me automjet dy ditët e fundit të javës.

“Qyteti ka qenë më i pastër, më i kthjellët dhe kemi kuptuar se ndotësi më i madh janë makinat. Në Tiranë bëhen 800 mijë segmente me makina në ditë dhe 400 mijë prej tyre janë distanca të shkurtra në dyqane. Kemi kuptuar se stili i jetesës mund të përshtatet me mirë me këtë dashuri për natyrën. Sapo pastruam liqenin dhe mbollëm pemë u kthyer gjëja e gjallë. Pra duhet të krijojmë një balancë me natyrën. Kur thoja Tirana pa makina para 5 viteve, shumë njerëz bënin gallatë, tani jam i lumtur për një gjë se ka një masë kritike kur thotë që ndoshta nuk e kanë pasur keq për më shumë kënde lojërash, më shumë sipërfaqe të gjelbra. Ajo që na u desh të bënim për 5 vite, sot u arrit në 5 javë dhe ditët pa makinë nuk janë të pamundura dhe nuk është e pamundur që fundjavën të lëvizim në këmbë apo me biçikleta. Në momentin që do i rikthehemi jetës normale do sanksionojmë fundjavën pa makina por jo më nga halli por për një shëndet me të mirë e ajër më të pastër. Kur të kthehemi në normalitet do ta sanksionojmë si një rutinë që na bën mirë ne”, tha Veliaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme