Shkenca në kërkim të triumfit, mjekja shqiptare në Gjermani flet për vaksinën kundër Covid-19

22:42 | 22 Prill 2020
Arbresh.info

Pandemia globale e Covid-19 vijon agresivitetin e saj në të gjithë botën, duke shkaktuar një numër të lartë vdekjesh dhe të infektuarish.

Por, krahas ecurisë së pandemisë, shkencëtarët po përpiqen të gjejnë vaksinën e duhur për të frenuar këtë virus, i cili ka mbyllur në shtëpi miliona persona në mbarë globin.

Anglia dhe Gjermani kanë njoftuar se do të testojnë një vaksinë anti-COVID dhe kjo do të bëhet shumë shpejt tek njerëzit. Për këtë lajm pozitiv foli në “Ilva Now” kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, Marsela Ceno.

Ajo tha se këto hapa të shkencës dhe mjekësisë janë pozitivë, por shtoi se vaksina për t’u certifikuar si efikase duhet të kalojë në disa faza.

“Po, do ta konsideroj si një lajm të mirë. Pas fazës së parë, pasojnë edhe dy faza të tjera, që është faza 2b, ku duhet të bëhet gjetja e dozës përkatëse e vaksinës, e cila testohet në një numër të madh dhe pastaj vijon edhe tek faza e tretë për të parë efikasitetin e vaksinës. Unë uroj që kjo fazë e parë të jetë pozitive dhe të kemi mundësi të provojmë fazën e dytë dhe të tretë të vaksinës”, tha ajo.

Teksa bëri një bilanc të situatës në Gjermani, doktoresha shqiptare tha se në bashkëpunim dhe me kolegë të tjerë shqiptarë kanë ofruar ndihmë për bashkatdhetarët tanë që ndodhen në Gjermani.

“Shifrat zyrtare të ditës së sotme janë 149 mijë të infektuar, numri i atyre që janë shëruar është 99400 dhe 5127 janë të vdekur. Masat që janë marrë prej 6 javësh dhe distancimi fizik po bëjnë që situata në Gjermani të mbetet nën kontroll. Ne si mjekë shqiptarë në Gjermani, jemi aktivë që prej mesi të marsit, duke krijuar grupet e asistentëve në të gjithë landet e Gjermanisë. Ne ju përgjigjemi pyetjeve të shqiptarëve, qoftë atë që janë rezidentë dhe ata që kanë mbetur në Gjermani për shkak të mbylljes së kufijve, por nuk mungojnë as rastet që ne u sigurojmë bashkatdhetarëve tanë ilaçet për sëmundjet kronike që ato kanë”, shtoi ajo.

E pyetur se a ka frikë për pandeminë globale, doktoresha shqiptare u përgjigj: “Frika është prezentë, megjithatë mjekët po punojnë në vijën e parë, por i kemi edhe mjetet e nevojshëm që na i ka siguruar spitali”, u shpreh doktoreshë Ceno.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme