Marrëveshja në mes KOSTT dhe ENTSO-E, pavarësim elektro-energjetik i Kosovës nga Serbia

16:11 | 21 Prill 2020
Arbresh.info

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari sot vizituan KOSTT, ku takuan Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT, Ilir Shala,  Kryeshefin Ekzekutiv, Kadri Kadriu, Drejtorin e Departamentit të Operimit të Sistemit, Sabri Musiqi dhe anëtarë tjerë të menaxhmentit të KOSTT.

Kryeshefi Ekzektuiv, Shala, foli për rëndësinë e votimit të suksesshëm të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E. Sipas këtij votimi KOSTT dhe Republika e Kosovës del nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri. Kjo Marrëveshje i hapë rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike si dhe pjesëmarrje në Bursën shqiptare të energjisë (APEX). Ai tha se kjo është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme si për KOSTT-in ashtu edhe për Republikën e Kosovës, derisa shprehu mirënjohje për mbështetjen e institucioneve shtetërore të Kosovës, Ambasadës Gjermane, Bankës Gjermane për Zhvillim, Ambasadës Amerikane, USAID, dhe kompanive homologe të ENTSO-E.

Këtij vlerësimi iu bashkëngjit edhe Kryeministri në detyrë. Votimin e suksesshëm, të mbështetur nga 22 operatorë të Sistemeve të Transmisionit të Evropës, të ditës së djeshme e cilësoi të një rëndësie të veçantë për Republikën e Kosovës. Ajo paraqet pavarësim elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia, sovranitet të Kosovës mbi rrjetin energjetik i cili siguron shërbime më të mira energjetike, dhe i njëjti mundëson funksionalizimin e interkonjeksionit 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cila prej më shumë se 6 vitesh nuk mund të funksionalizohej. Me këtë votim, KOSTT fiton të drejta të barabartë me homologët në Evropë, dhe kështu shmangim humbjet direkte dhe jo direkte që kishim ndër vite nga mospjesëmarrja në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Në fund, Kryeministri në detyrë Kurti i uroi ekipit të KOSTT për këtë të arritur, dhe shfaqi besimin e plotë se aktivitetet që paraprijnë hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, e të cilat janë kryesisht të natyrës teknike, do të përmbushen në një periudhë shumë të shkurtë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme