Për të matur ndikimin që masat kufizuese kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 kanë pasur në sektorin privat, pesë organizata që përfaqësojnë interesat e biznesit, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kanë kryer një anketë të përbashkët, rezultatet e së cilës janë shpërndarë tek institucionet e vendit dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Sipas kësaj ankete, të dhënat e të cilës janë analizuar nga Recura Financials, e cila është kryer me 462 biznese në fillim të muajit prill rezulton se rreth 95 për qind e ndërmarrjeve të anketuara e vlerësojnë krizën e COVID-19 si negative, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre e vlerësojnë si shumë negative.
Përqindje po aq e lartë është gjetur edhe në vlerësimin e rënies së shitjeve, ku mbi 92 për qind e bizneseve kanë deklaruar se kanë përjetuar zvogëlim të shitjeve si pasojë e masave kufizuese, prej të cilëve rreth 48 për qind kanë raportuar rënie më madhe se 75 për qind, derisa çereku i të anketuarve ka raportuar zvogëlim të shitjeve në normën mbi 50 për qind.
Rëniet e shitjes rezultojnë të jenë në korrelacion të drejtpërdrejtë me aftësinë e ushtrimit të veprimtarisë nga ana e bizneseve, meqë anketa më tej gjen se 83.6 për qind e ndërmarrjeve shprehen se kriza ka zvogëluar aftësinë e tyre për të punuar, me ç’rast 39 për qind e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht, 30.7 për qind punojnë me kapacitet të reduktuar, ndërsa 13.8 për qind punojnë me orar të shkurtuar. Vetëm rreth 2 për qind e ndërmarrjeve rezultojnë të mos jenë afektuar aspak, ndërsa pjesa tjetër kanë organizuar një pjesë ose të gjitha aktivitetet nga shtëpia.
“Mbi 60 për qind e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre. Gjetjet tregojnë se më të rrezikuarat ndjehen ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla me mbi 65 për qind të tyre që janë deklaruar se u rrezikohet mbijetesa, derisa 44.8 për qind e ndërmarrjeve të mesme dhe 40 për qind ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre. Sipas sektorëve, më i rrezikuari është sektori i ndërtimtarisë me 75 për qind, përcjellë nga sektori i shitjes me pakicë me 57.3 për qind, prodhimtaria me 56.6 për qind dhe tregtia me shumicë me 54.7 për qind”, thuhet në njoftimin e odave.
Për sa i përket numrit të punonjësve, 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve. Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ku vetëm 10 për qind e tyre kanë larguar deri në 30 për qind të fuqisë punëtore. Ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla ku rreth 13.9 për qind e tyre kanë larguar mbi 50 për qind të të punësuarve.
Lidhur me aspektet operacionale të ndikuara nga pandemia COVID-19, ndërmarrjet raportojnë kryesisht për humbje financiare janë 78 për qind e respodentëve, mungesë likuiditeti me 44 për qind, joefikasitet në punë me 40 për qind dhe humbje të kapaciteteve prodhuese me 27 për qind.
Më pak se 20 për qind e ndërmarrjeve të anketuara shprehen si shumë të kënaqura me qartësinë e vendimeve të qeverisë për masat kufizuese pas shpërthimit të pandemisë COVID-19. Ndërsa për sa i përket vlerësimit të masave të vendosura nga qeveria për mbështetje të sektorit privat, më pak se 6 për qind e të anketuarve vlerësojnë se masat lehtësojnë në masë të madhe vështirësitë e të bërit biznes krahasuar me një përqindje të ngjashme të atyre që vlerësojnë se masat nuk lehtësojnë aspak vështirësitë e tyre. Në këtë mes, rreth 40 për qind e ndërmarrjeve vlerësojnë se masat lehtësojnë shumë pak vështirësitë operacionale, pasuar nga 21 për qind të tyre që besojnë se masat lehtësojnë mesatarisht vështirësitë e tyre.
Organizatat e biznesit përsërisin zotimin e tyre për të bashkëpunuar me institucionet e vendit për adresim të problemeve me të cilat sektori privat është ballafaquar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, ndërsa edhe kjo anketë është dëshmi e këtij zotimi.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...