Google ADS

N’trafik me Policinë e Kosovës në kohë pandemie

11:04 | 18 Prill 2020
L G

Qeveria e Kosovës qysh nga 23 marsi ka marrë masa të ndalojë qarkullimin e qytetarëve me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.

Ndalimi i qarkullimit të njerëzve dhe automjeteve u nda në dy kohë të ndryshme,  dhe deri më tani është ndryshuar tre herë.

Për të mbikëqyrur respektimin e këtij orari të lëvizjes në detyrë janë Policia e Kosovës.

Ekipi i portalit arbresh.info ka vëzhguar nga afër një ditë pune në terren të Policisë në këtë kohë pandemie, për të parë se sa po zbatohet ora policore dhe se a ka shkelje të këtyre rregullave nga njerëzit.

Ne shkuam tek stacioni policor që gjendet në Fushë Kosovë, ku edhe u takuam me togerin Nazmi Zogaj, biseduam me të rreth pikave në terren dhe kështu vazhduam për të bërë ndalesën e parë tek rrethi i flamurit në Prishtinë.

Gjatë rrugëtimit për tek ndalesa e parë, vërehej prania e madhe e patrullimit të Policisë së Kosovës gjithandej, e po ashtu edhe tek rrethi pamë edhe disa vetura të tjera të Policisë që po kontrollonin ata persona që lëviznin në orën policore.

Lëvizjet e veturave nuk ishin të shumta mirëpo prani të tyre në qytet kishte, e kështu edhe togeri Zogaj i shoqëruar me policin filluan turnin e tyre dhe bën ndalesën e parë të një veture për të verifikuar se a mbart me vete lejen e qarkullimit.

Vetura u ndalua dhe shoferi i cili ngiste makinën rezultoi se posedon dokumentacionin e nevojshëm dhe kështu u la I lirë për të vazhduar.

Ky proces përsëritet disa herë radhazi dhe fatmirësisht qytetarët që lëviznin në atë periudhë rezultuan të jenë të pajisur me dokumente dhe se arsyeja e lëvizjes së tyre ishte përgjithësisht sepse ishin në krye të detyrës dhe kështu po përmbushnin obligimet e tyre.

Koha për ndërrimin e lokacionit, tani vazhduam tek rruga B dhe Rr. Gazmend Zajmi për të kontrolluar dhe patrulluar edhe këtë zonë.

Policët vazhdojnë punën e tyre duke kontrolluar veturat në lëvizje si dhe këmbësorët po ashtu.

Kurse togeri Nazmi Zogaj fillimisht ka falënderuar mediat për kontributin në njoftimin dhe informimin e qytetarëve në kohën e pandemisë Covid-19.

“Faleminderit prej juve mediave që po kontribuoni në njoftimin e të gjithë qytetarëve, që në këtë kohë të mos jenë prezent ose mos të dalin në rrugë dhe ta respektojmë këtë kohë të ndalesës për shkak të pandemisë ose emergjencës shëndetësore”.

Zogaj për arbresh.info ka treguar se përgjithësisht ata qytetarë që po lëvizin gjatë orës policore kanë leje qarkullimi, lejë këto që janë lëshuar nga institucionet shtetërore për disa veprimtari të caktuara që punojnë edhe gjatë kësaj kohe.

Ai gjithashtu potencon faktin se edhe për ata persona të cilët dalin në rrugë gjatë kohës së ndaluar, ndryshe thënë orës policore, merren masat e parapara me ligj.

“Në përgjithësi ata që po lëvizin në këtë kohë kanë leje, të cilat janë lshu për shkak që punojnë nëpër institucione dhe disa veprimtari të cilat janë lejuar nga institucionet shtetërore, mirëpo ka edhe nga ata persona që dalin në rrugë edhe nuk kanë leje, ndaj tyre merren masat e lejuara ose të parapara me ligj”.

Togeri tregon se përveç automjeteve në qarkullim ka edhe këmbësor që dalin, e që edhe për ata që nuk kanë leje qarkullimi merren masat e parapara.

“Po ka edhe nga ana e këmbësorëve, edhe për ta veprohet njejtë sepse koha e ndalesës vlen për të gjithë, si për këmbësorët si për ata persona që lëvizin me automjetet e tyre”.

Tutje Zogaj sqaron se mosrespektimi i Orës Policore, pra kohës së ndalesës nga qytetarët parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe konsiderohet vepër penale. Kur këta persona ndalohen, njoftohet prokuroria dhe vazhdohet me procedurën e kallëzimit penal.

“Mosrespektimi i kohës së ndalesës për qytetarë parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe konsiderohet si vepër penale. Në rastet që ndalohen kta persona njoftohet prokuroria dhe vazhdohen procedurat e kallëzimit penal ndaj tyre”.

Togeri Nazmi Zogaj thotë se kanë marrë të gjitha masat që të ketë prezencë më të madhe policore si gjatë ditës, njësoj edhe natën, masa të marra nga plani i hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës. Gjithashtu ata si njësi e trafikut asistojnë edhe njësitë e rendit të cilat janë të lidhura direkt me ata persona që nuk e respektojnë orarin, shtoi tutje.

“Si Njësi e Trafikut, ne i kemi marrë të gjitha masat që të kemi një prezencë më të madhe policore gjatë kohës së ditës edhe natës, dhe në bazë të planit që është hartu nga Policia e Kosovës nga Drejtoria e Përgjithshme ne e respektojmë orarin që e kem me prezencë më të madhe policore. Si njësi ne jem të caktuar të monitorojmë komunikacionin rrugor, mirëpo n’këtë kohë të pandemisë ne i asistojmë edhe njësive të rendit, të cilët janë drejtpërsëdrejti të lidhur me ata që nuk respektojnë kohën e ndalesës”.

Ai porosit të gjithë qytetarët të mos dalin në rrugë, të respektojnë familjet e tyre dhe thekson se po u respektuan këto masa në këtë kohë, do të qëndrojmë brenda një periudhë më të shkurtër.

“Unë kisha kërku nga të gjithë qytetarët së pari të respektojnë familjet e tyre edhe për shkak të familjes ata të rrinë në shtëpi, mos t’dalin n’rrugë, të qëndrojmë edhe pak, të respektojmë këtë orë të ndalesës, sepse nëse na e respektojmë këtë kohë, do ta kem një kohë më të shkurtë që do të rrimë në shtëpi, nëse nuk e respektojmë kjo do të zgjat dhe do të jetë jo e mirë ose ni diçka që e dëmton shoqërinë tonë, familjen tonë, gjithë neve”. /Gazetare: Arditë Shkodra / Kamera: Safet Hyseni/ /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme