Pesë alternativat e Interit për ta zëvendësuar Martinezin

10:22 | 18 Prill 2020
L G

Shpërthimi i Lautaro Martienz këtë sezon nën urdhrat e Antonio Contes ka bërë që shumë skuadra të mëdha europiane të hedhin sytë nga ai, ndaj te Interi e kanë të artë që edhe mund ta humbin këtë verë sulmuesin dhe për këtë arsye kanë filluar të studiojnë tregun, për të piketuar zëvendësuesin e mundshëm.

Kështu sipas mediave italiane, në listën e Marottës dhe Ausilios janë 5 emra, që kanë marrë miratimin paraprak nga Antonio Conte, pikërisht Timo Werner, Luka Jovic, Victor Osimhen, Anthony Martial dhe Pierre Emenick-Abameyang, futbollistë këta që pritet të ndërrojnë ambient këtë verë.

I pasi është sulmuesi gjerman i Leipzigut, i cili ka një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh, por që vlen deri në fund të këtij muaji. Werner është sulmuesi i dytë ideal për të luajtur në krah të Lukakut, por Interit do t’i duhet të mposhtë konkurrencën e fortë të Liverpoolit dhe Bayernit të Mynihut, prej kohësh në ndjekje të Werner.

Luka Jovic iu bashkua Realit të Madridit me bujë verën e kaluar, por pas një sezoni në hije, madrilenët kanë ndërmend ta shesin, për të grumbulluar para të mjaftueshme për shpenzimet e planifikuara këtë verë dhe vlerësojnë kartonin e serbit rreth 50 milionë euro, shifër kjo e përballueshme nga arkat e klubit zikaltër.

Victor Osimhen është emri që ngacmon më shumë “fantazinë” e Antonio Conets dhe Giuseppe Marottës, pasi ka vetëm 21 vite jetë dhe shënon rregullisht, por problem mbeten pretendimet e mëdha të klubit të Lille, që synon të arkëtoj të paktën 70 milionë euro nga kartoni i tij, shifër kjo e konsideruar tejet e lartë, për një sulmues me aq pak eksperiencë.

Emri tjetër është ai i Anthony Martial, sulmues francez i Manchester United, që deri verën e kaluar ishte pranë largimit dhe që në Milano do të rigjente Romelu Lukakun, me të cilin ka një miqësi të fortë. Megjithatë Martial ka fituar terren dhe është bërë një futbollist i rëndësishëm i Solskjaer, ndaj mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë trajneri norvegjez për të ardhmen e tij.

Së fundi në listë është edhe sulmuesi i Arsenalit, Aubameyang, i cili ka ndërmend të lërë Londrën këtë verë, por kërkohet nga shumë klube, ndaj edhe këtu do të jetë e vështirë që Interi të fitojë konkurrencën. Vlen të theksohet se kostoja e Aubameyang mund të jetë ndjeshëm më e ulët se e të parëve, pasi sulmuesit i skadon kontrata me Arsenalin verën e 2021-shit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme