Nxënësit duhet të mësojnë në grupe të vogla, në mjediset publike në Gjermani pjesërisht do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskës mbrojtëse dhe aplikacionet do të përdoren vullnetarisht, pasojat ekonomike do të zbuten në nivel mbarë-europian – kështu e përfytyrojnë normalitetin e ri me në kohët e virusit Corona studiuesit e fushave të ndryshme nga Akademia Leopoldina. Rekomandimet e Akademisë Kombëtare të Shkencave u pritën me interes, kancelarja Angela Merkel në prag të publikimit e quajti atë „një studim shumë të rëndësishëm”. Kur të hënën e Pashkës dokumenti i pritur me interes prej 18 faqesh u publikua në internet, faqja e akademisë në Halle an der Saale ishte e mbingarkuar dhe pjesërisht e paarritshme.
Sa jetë publike është e mundshme?
Zbutjen e kufizimeve shkencëtarët e venë në varësi të tre faktorëve: Stabilizimi i infeksioneve të reja në një nivel të ulët, klinikat duhet të krijojnë kapacitete rezervë dhe duhet të rifillojnë trajtimin si normalisht të të gjithë pacientëve të tjerë, së treti qytetaret dhe qytetarët u përmbahen masave të njohura mbrojtëse si rregullat e ruajtjes së distancës dhe mbajtja e maskës. Të parat mund të rihapen dyqanet e shitjes me pakicë dhe bizneset e gastronomisë, autoritetet dhe ndërmarjen mund të rifillojnë aktivitetin me publikun. Edhe udhëtimet mund të rifillojnë duke iu përmbajtur masave mbrojtëse. Për këtë akademia Leopoldina rekomandon detyrimin për përdorimin e maskës „në sektorë të caktuar si në shërbimin e qarkullimit urban”. Duke ruajtur distancë të mjaftueshme mund të rihapen edhe aktivitetet kulturore e sportive. Në këtë drejtim është i domosdoshëm një monitorim i vazhdueshëm të numrit të infeksioneve.
A është i mundur kthimi në shkolla së shpejti?
Prej një muaji në Gjermani shkollat janë të mbyllura – e Homeschooling me materiale të organizuara me ngut funksionon në forma të ndryshme sipas rastit. “Rifillimi i orës së mësimit në shkolla duhet të mundësohet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në dokumentin e akademisë Leopoldina. Fillimisht mund të hapen gradualisht shkollat fillore, duke nisur me klasat e nivelit më të lartë. Kjo duhet realizuar pasi të jenë garantuar klasa me hapësirën e duhur për ruajtjen e distancës, ku mund të grumbullohen deri në 15 fëmijë bashkë.
Në shkollat e niveleve të tjera rifillimi mund të jetë i ngjashëm, prioritet në to kanë provimet përmbyllëse. Universitetet dhe shkollat e larta semestrin e verës do ta zhvillojnë kryesisht në hapësirën digjitale. “Të gjitha masat duhet të zbatohen për një kohë të gjatë duke respektuar rregullat e higjenës, distancës, mbrojtjes së hundës dhe gojës me maskë, testimit dhe pasojave të karantinës”, shkruajnë anëtarët e akademisë.
Si do të mbikqyret përhapja e virusit?
Shkencëtarët bëjnë fjalë për një „lëvizje shumë delikate”: Çdo hap i kërkuar me insistim për kthimin në normalitet bart rrezikun e numrit të rasteve, që mund të mbingarkojnë sistemin e shëndetësisë deri në limitet e veta. Deri tani përhapja e pandemisë në Gjermani është dokumentuar kryesisht përmes „grumbullimit të të dhënave sipas simptomave”, që do të thotë se janë testuar kryesisht personat që kanë pasur simptoma. Shkencëtarët propozojnë, që këto të dhëna të plotësohen përmes serisë së testeve reprezentative dhe rajonale. Krahas testimit akut të të infektuarve të mundshëm duhet të verifikohet edhe se kush është imun kundrejt virusit, pra që e ka përballuar sëmundjen dhe ka krijuar antitrupat. Prej kësaj shkencëtarët shpresojnë një parashikim afatshkurtër të sigurtë, prej nga politika mund të mësonte se çfarë efekti kanë masa të caktuara.
A do të vijë aplikacioni Corona?
Ky dokument përmend duke e vlerësuar Korenë e Jugut, që ka ndjekur përmes lokalizimit nga celularët përhapjen e virusit Corona. Akademikët rekomandojnë projekte të ngjashme në Gjermani mbi bazën e vullnetit të lirë: “Kjo do ta rriste precizionin e modeleve aktuale në dispozicion, për të lejuar një parashikim të diferencuar të rrjedhës së pandemisë në varësi të kontekstit dhe lokalizimit”, shkruajnë studiuesit.
Ata i varin shpresat tek „donacioni digjital i të dhënave”, që shkojnë edhe më tej se përcaktimi i profileve të lëvizjes: Në një aplikacion mund të nisin anketimet aktuale të popullsisë, Fitness-Tracker mund të japin të dhëna, prej nga mund të nxirren konkluzione për një sëmundje të mundshme me COVID-19.
Por që luftimi i pandemisë të mos kulmojë në një mbikqyrje masive digjitale, të dhënat parimisht duhet të mbahen anonim dhe pas skadimit të afatit të shuhen – për mbrojtjen e të dhënave mund të ketë menaxhues të pavarur.
Si mund të zbuten pasojat psiqike?
Kriza Corona i stërmundon mendërisht qytetarët. Ndaj shkencëtarët rekomandojnë një komunikim të kuptueshëm dhe një komportim të vetpërgjegjëshëm me situatën. Shërbimet e konsulencës dhe të emergjencës duhet të zgjerohen. Në këtë kontest në dokument vlerësohen masat e marra në Francë, ku në supermarkete dhe në farmaci janë instaluar qendra për rastet e dhunës në familje dhe situata të tjera emergjence familjare.
Çfarë do të bëhet me ekonominë?
Shkencëtarët në plan të parë rekomandojnë masa, që duhet të kontribuojnë për ta mbajtur recesionin sa më të butë që të jetë e mundur. Dokumenti përmend edhe masa, që ndërkohë i ka marrë qeveria, si punën me normë të reduktuar, ndihma likuiditeti dhe shtyrje e tatimeve. Në nivel europian është rënë dakord për paketën e shpëtimit financiar për krizën Corona, por ende jo për bondet Corona, që po debatohen me zjarr. Rindërtimin e ekonomisë pas krizës Corona studiuesit e konsiderojnë si një „shans historik” për më shumë qendrueshmëri: “Ndërtimi i një ekonomie konform ruajtjes së klimës dhe si rrjedhojë një kthesë e mobilitetit dhe bujqësisë japin impulse thelbësore për inovacion dhe rritje ekonomike.”
Kush qendron pas këtyre propozimeve?
Akademia Leopoldina që nga viti 2008 ndodhet nën kujdestarinë e presidentit, paraardhësja e akademisë aktuale kombëtare është themeluar në vitin 1652. Dokumenti me rekomandimet i publikuar tani është i treti në radhë që nga fillimi i pandemisë Corona. Ndër bashkëutorët janë studiuesi i shkencave ekonomike Clemens Fuest, sociologu Armin Nassehi, psikologu Klaus Fiedler dhe presidenti i Akademisë Leopoldina Gerald Haug. Por vendimet përfundimtare merren nga politikanët që janë dhe përgjegjës për zbatimin e tyre. Të mërkurën (15.04) kryeministrat e landeve bashkë me kancelaren do të konsultohen për ecurinë e mëtejshme gjatë një konference telefonike. /DW
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj
Zelensky kërkon më shumë sisteme për mbrojtje ajrore të Ukra...
Rama në Britani e Madhe: Emocion kuqezi pak minuta përpara t...
Tenderët njëburimor, Murati: Përqindja më e madhe ka qenë më...
Irani konfirmon se do t’i diskutojë çështjet bërthamore me t...
NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit...