Komisioni Evropian rekomandon qasje graduale dhe të koordinuar drejt riaktivizimit të ekonomisë dhe jetës publike
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se menaxhimi i krizës shëndetësore dhe ekonomike të koronavirusit të ri (COVID-19) do t’i kushtojë Bashkimit Evropian (BE) rreth 3 trilionë euro.
Von der Leyen në një konferencë për media prezantoi udhërrëfyesin e KE-së për heqjen graduale të masave të COVID-19 në BE.
Ajo rikujtoi se strategjia e daljes nuk duhet të interpretohet si sinjal për të hequr ndalesat menjëherë, por masat duhet të lehtësohen gradualisht për të shmangur një rënie më të madhe ekonomike.
Strategjia paralajmëron me kujdes se “çdo nivel të relaksimit gradual të izolimit do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një rritje përkatëse të rasteve të reja” dhe koronavirusi do të jetë i pranishëm derisa të zhvillohet një vaksinë.
Kështu, Von der Leyen bëri thirrje për një konferencë të donatorëve për të financuar kërkimet e vaksinës së koronavirusit, ngjarje e cila është caktuar për më 4 maj.
– Heqje e koordinuar dhe graduale e bllokimit
Udhërrëfyesi sugjeron vetëm lehtësimin e masave të bllokimit nëse statistika dëshmon ngadalësim të ndjeshëm të përhapjes së pandemisë për një periudhë më të qëndrueshme, nëse sistemet e kujdesit shëndetësor kombëtar kanë kapacitet të mjaftueshëm në repartet e kujdesit intensiv, rezerva të ilaçeve dhe pajisjeve si dhe të jenë në gjendje të monitorojnë përhapjen e virusit.
Komisioni inkurajon vendet anëtare që të përdorin të dhënat digjitale nga operatorët mobil dhe aparatet hulumtuese për të monitoruar situatën si dhe testimin në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe përdorimin e pajisjeve të vetë-testimit.
Vendet e BE-së ftohen që të koordinojnë vendimet e tyre me njëri-tjetrin dhe me KE-në si dhe të kenë parasysh parimet e solidaritetit.
Strategjia sugjeron që fillimisht t’i jepet fund masave në kufijtë e brendshëm mes shteteve anëtare dhe më pas të vendoset në lidhje me mundësinë e hapjes së kufijve të jashtëm.
Vendeve u kërkohet që gradualisht të ndryshojnë të gjitha masat e emergjencës.
Prioriteti është që të riaktivizohet ekonomia duke hequr kufizimet e punës ndërsa më pas gradualisht të hiqen edhe autorizimet e tubimeve publike.
Sipas udhëzimeve, fillimisht shkollat dhe universitetet duhet të rifillojnë arsimin. Pastaj mund të rihapen dyqanet, restorantet dhe kafenetë por fillimisht duhet të jenë të kufizuar orët e hapjes dhe numri i klientëve. Festivalet, ngjarjet kulturore dhe sportive mund të organizohen në fazën e fundit.
– Kontradikta në masat kombëtare
BE-ja është përpjekur që të gjejë qasje të koordinuar në luftimin e koronavirusit që nga fillimi i përhapjes së sëmundjes.
Krahu ekzekutiv i BE-së, Komisioni Evropian nuk ka fuqi ligjore për të imponuar masa për vendet anëtare në rast të një pandemie. Institucioni mund të vendosë vetëm udhëzime për të ndihmuar vendimet e miratuara nga vendet e BE-së.
Njoftimi i sotëm fillimisht ishte planifikuar javën e kaluar, por Italia, Spanja dhe Franca shprehën kritika të ashpra për strategjinë e BE-së të daljes nga kriza, e cila duhej të publikohej pa u konsultuar me qeveritë kombëtare.
Liderët e tre vendeve gjithashtu druanin se udhërrëfyesi i BE-së do të sillte një mesazh të rremë dhe të diskutueshëm për opinionin e tyre në lidhje me përfundimin e masave të izolimit.
Në të njëjtën kohë, Austria, Çekia dhe Danimarka vendosën të heqin disa nga kufizimet në jetën publike këtë javë.
Që nga shfaqja në Wuhan të Kinës, dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri është përhapur në mbarë botën.
Të dhënat tregojnë se afër 2 milionë persona janë infektuar globalisht ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në gati 127.600.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...