Google ADS

Bedri Hamza: Projektligjet e PDK-së për pakon financiare 320 milion euro nuk janë tërhequr nga Kuvendi, do të insistojmë të trajtohen

17:59 | 14 Prill 2020
L G

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka mbajtur konferencë për media pas seancës së Kuvendit të Kosovës në të cilën nuk u miratua pakoja emergjente e propozuar nga ta. Hamza ceku se kjo situatë përveç ndikimit në aspektin shëndetësor, ka ndikim të madh edhe në ekonomi.

Pasi ngushëlloi familjarët e personave që kanë pësuar nga virusi covid-19, Hamza vlerësoi se këto projektligje ishin ndihmesë për të krijuar bazën ligjore për përballimin e situatës së pandemisë dhe masave të deklaruara nga qeveria.

“Sot ishte mundësia për të krijuar bazën ligjore që të përfitojnë shumë kategori të qytetarëve tanë, komunat dhe institucionet për përballimin e suksesshëm të pandemisë. Situata ekonomike pas shpalljes së pandemisë, vlerësohet si kriza që do të jetë si “depresioni i madh”, potencoi z. Hamza, duke theksuar se PDK ka proceduar dy projektligje me qëllimin më të mirë, për qytetarët dhe vendin tonë, për përballimin sa më të suksesshëm të situatës, në veçanti mbrojtjen e sektorit privat.

Hamza është shprehur i habitur se si mundet Qeveria të procedojë me ligjet pa bazë legale.

“Është bërë praktikë nga Vetëvendosja shkelja e ligjit dhe Kushtetutës. Ne kemi qenë të gatshëm të debatojmë për propozimet tona, për t’i plotësuar apo ndryshuar, por të krijohet baza legale për situatën”, ceku z. Hamza dhe shtoi se nga mungesa e bashkëpunimit dhe vullnetit që po dëmton kohezionin e brendshëm në Parlament.

“PDK nuk i ka tërhequr projektligjet nga procedura, do të kërkojmë që ato trajtohen se janë të dobishme për vendin. Më mirë sot të aprovohen se nesër, sepse nesër dëmi do të jetë dyfish më i madh. Në veçanti problemet që shfaqen në sektorin privat që pritet të përkeqësohet gjendja.

Hamza vlerësoi veprimet e vendeve tjera, vendeve të zhvilluara ku kanë dhënë nga 10 deri 20% të bruto prodhimit vendor për sanimin e situatës pas shfaqjes së virusit, covid-19.

PDK me këto projektligje nuk ka dashur të mbetet në nivel debatesh dhe të pres gabimet e Qeverisë, doli me propozime konkrete, të debatueshme, të plotësohen apo ndryshohen dhe të aprovohen si bazë legale për situatën, kjo nuk hasi në mirëkuptim. Është për keqardhje që nuk janë respektuar as ligjet as direktiva e BE-së.

“Ne i kemi paraqitur të gjitha të dhënat konkrete, shuma, burimet etj.  për të krijuar bazën legale sepse sektori privat sipas propozimit të qeverisë nuk ka bazë ligjore, nuk mund të paguhet ngase nuk janë brenda tabelave buxhetore”, potencoi Hamza.

Në fund,  Hamza u përgjigj edhe në pyetjet e gazetarëve të pranishëm rreth mundësisë së aprovimit të këtyre projektligjeve dhe zabtueshmërisë së tyre./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme