Pogba zbulon pse e la Man Unitedin në vitin 2012

15:54 | 14 Prill 2020
A. B.

Paul Pogba ka rrëfyer arsyen pse ishte larguar nga Manchester Unitedi në vitin 2012, përderisa më tutje e ka pranuar se kishte qenë zemërthyer nga mungesa e besimit që i ishte dhënë nga trajneri i atëhershëm i Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson.

Pasi kishte dalë nga sistemi i famshëm i akademisë në Old Trafford, mesfushori francez pritej të shkëlqente për shumë vite në ekipin e parë të Manchester Unitedit. Megjithatë, atij nuk iu ofrua kontratë e re dhe u detyrua ta nisë një sfidë të re në Itali me gjigantin e Serisë A, Juventustin, transmeton Gazeta Express.

Francezi pastaj i kaloi katër sezonë në Torino para se të kthehej në Old Trafford në vitin 2016, kur trajner ishte Jose Mourinho. Pogba ishte kthyer me qëllimin për ta dëshmuar veten pasi nuk e kishte pasur besimin e Fergusonit, i cili e ka sqaruar që e kishte ditur se Pogba është i talentuar por s’kishte dashur të punonte me agjentin e tij, Mino Raiolan, të cilin e ka kritikuar ashpër.

“Ishte një vendim shumë i vështirë për mua, shkaku i situatës me trajnerin dhe gjithashtu gjithçka që po ndodhte me kontratën”, ka thënë Pogba, në një intervistë të dhënë për “podcast-in” zyrtar të klubit.

“Nuk kishte të bënte me kontratën aq sa kishte të bënte me trajnerin. Natyrisht, për mua, ai është trajneri më i mirë në histori ende. Kur ata më kërkuan ta nënshkruaj kontratën, nëse unë s’do të nënshkruaja, shumë gjëra ndodhnin. Unë nuk stërvitesha, u ktheva në stërvitje vetë dhe gjëra të tilla”.

“Pak më zemëroi kjo dhe nuk kishte të bënte asgjë me paratë. Thjesht ka të bëjë me ty si lojtar, unë vetëm dua të luaj futboll por dua të më thonë se kanë besim te unë dhe se unë kam besim te ta. Kjo është e gjitha që unë e dua, unë dua të luaj”.

“Kur unë e kisha rastin të luaja në një ndeshje kundër Blackburnit, atëherë m’u thye zemra me të vërtetë. Nuk ishte askush në mesfushë, të gjithë ishin të lënduar. Paul Scholes nuk ishte aty, mendoj se ai veçse ishte pensionuar dhe ishte para se të kthehej. Rafael luajti në mesfushë me Ji-Sung Park dhe unë nuk u inkuadrova fare. Ne e humbëm ndeshjen”.

“Unë isha në stol duke i bërë disa ushtrime për të qenë gati për ndeshje dhe mendoja se do të inkuadrohesha dhe ishte një rast i madh për mua. Unë nuk luajta dhe pastaj ndodhën gjëra. Trajneri duhet të zgjedhë për gjithçka por atë ditë mua m’u thye zemra”.

“Unë kisha folur me Patrice Evran dhe i kishte thënë se kisha mundësi të luaja në këtë ndeshje. Isha stërvitur me të dhe edhe ai më kishte thënë se do të më jepej mundësia. Por, pastaj ndodhi ajo gjë, unë nuk luajta dhe isha paksa i mërzitur”.

“Kështu që shkova në Juventus, që ishte një vendim i vështirë për mua. I vështirë sepse unë po shkoja në një tjetër klub ku natyrisht se nuk isha titullar, por po shkoja si një lojtar i ri e i talentuar që duhet ta dëshmojë veten sërish”.

“Unë shkova dhe ishte një sfidë e madhe për mua. Unë i thashë vetes: “Shko, shfrytëzojë këtë mundësi, s’ka problem. Unë dua ta dëshmoj se jam gati të luaj për skuadrën”.

Pogba më vonë u kthye në Old Trafford, pasi Manchester Unitedi arriti marrëveshje me Juventusin për transferimin e francezit për 89 milionë euro. Pogba e kishte pasur mundësinë të qëndronte në vendlindje kur kishte qenë i ri, pasi që Lyoni ishte interesuar për të, por ai i kishte zgjedhur Djajtë e Kuq.

“Ishte e lehtë ta merrja atë vendim, ishte Manchester Unitedi. Të them të drejtë, isha afër të nënshkruaja për Lyonin, njerëzit më thoshin të mos dal jashtë Francës pasi që do ta kishte vështirë. Por, unë ua ktheja: “Jo, ata janë klubi më i madh në botë. Ky rast të vjen një herë në jetë”. Kështu vendosa të vij në United. Epo, për mua ky rast erdhi dy herë, kjo është e vërtetë”, shtoi Pogba.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme