Unitet për qytetarët
Përveç brengës shëndetësore për qytetarët, shteti ynë duhet të fokusohet edhe në pasojat socio-ekonomike – të cilat mund të jenë fatale, nëse nuk ndërmerren menjëherë hapat e duhur preventivë.
Tashmë ekonomia globale po rrezikohet nga një recesion i madh, shumë më i madh sesa ai i viteve ’30.
Po ashtu, çdo ditë bëhet e ditur se rritja ekonomike do të bjerë dukshëm, deri 2-4 për qind, ndërsa edhe remitencat do të ulen ndjeshëm.
Institutet dhe ekspertët kompetentë që merren me çështjet ekonomike, thonë se Kosova është duke humbur mbi 10 milionë euro çdo ditë. Humbja totale deri më tash është mbi 250 milionë euro.
Nëse shteti ynë nuk është i gatshëm që të marrë përgjegjësinë e ndërhyrjes për ta shpëtuar ekonominë e vendit, atëherë 280 mijë vende të punës në sektorin privat do të rrezikohen dhe qindra ndërmarrje të mesme e të vogla do të shuhen. Prodhuesit, për shkak të tkurrjes së ekonomisë vendore dhe ndërkombëtare, do t’i humbin tregjet e domosdoshme për eksport të produkteve të tyre.
E vërteta është se ne jemi shumë vonë me masat ekonomike.
Masat e propozuara nga Qeveria janë të pamjaftueshme dhe gjysmake (pakoja prej 170 milionë eurosh), si dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi për menaxhimin e financave publike.
Të gjithë e dimë se vetëm Kuvendi i Kosovës mund ta miratojë buxhetin, plotësojë edhe ndryshojë atë në masën që është e nevojshme, për ta shpëtuar ekonominë e Kosovës.
Duke e konsideruar betejën me Covid-19 si përgjegjësi të të gjitha partive politike, duke e konsideruar përpjekjen për qëndrueshmëri ekonomike të vendit tonë si detyrë dhe imperativ, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë propozimin e saj për pakon 320 milionë euro, me tri burime të sigurta, duke mos rrezikuar stabilitetin makro-fiskal.
Me qëllimin më të mirë të bashkëpunimit, edhe si obligim për qytetarët, PDK u ka bërë ftesë të gjitha partive në Kuvend që më 14 prill të bëhemi bashkë për ta kaluar pakon për rimëkëmbjen e ekonomisë sonë, duke qenë e hapur për plotësimet e mundshme.
Qytetarëve të Kosovës gjithmonë duhet t’ua krijojmë perspektiven për një të ardhme stabile, përtej çdo dallimi politik dhe çdo kalkulimi elektoral.
Prandaj, ftoj të gjitha partitë politike që më 14 prill ta bëjmë atë që qytetarët presin ta bëjmë për ta.
Nuk është as koha dhe as çështja që duhet të na ndajë. Përkundrazi.
Kadri Veseli
Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...
Gjatë fundjavës priten reshje shiu dhe bore në Kosovë
Alisson zbulon klubin ku dëshiron të transferohet pasi të la...