Elezaj: Rasti i ri me COVID-19 nga Klina është një infermiere që banon në Prishtinë

09:15 | 13 Prill 2020
Arbresh.info

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka pohuar se qytetarja e cila është prekur nga coronavirusi është nga fshati Çabiq, por që banon në Prishtinë.

Elezaj ka pohuar se do të fillojnë hulumtimin e kontakteve të mundshme me persona të tjerë nga Klina.

“Edhe një rast me coronavirus nga Klina, me banim në Prishtinë (infermiere në Spitalin Amerikan)
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sapo ka konfirmuar edhe një qytetare të komunës së Klinës nga fshati Çabiq, të diagnostifikuar me virus. E infektuara me virus punon si infermiere në Spitalin Amerikan në Prishtinë dhe jeton në Prishtinë. Megjithatë menjëherë do të fillojmë hulumtimin e kontakteve të mundshme me persona të tjerë nga Klina. Tashmë numri i të infektuarve nga komuna e Klinës ka arritur në katër. Një shtetase italiane, që tashmë është shëruar dhe është kthyer në Itali.Një rast nga karantina, i ardhur nga Mali i Zi, i cili nuk ka pasur kontakt me persona të tjerë.Dhe dy infermiere, të cilat punojnë dhe jetojnë në Prishtinë, njëra në Klinikën Infektive në QKUK dhe personi i konfirmuar sot infermiere në Spitalin Amerikan”, ka shkruar Elezaj në Facebook.

Elezaj ka bërë apel që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.

“Ditët e fundit numri i të prekurve me virus po rritet e veçanërisht sot që janë konfirmuar 79 raste, andaj ju lus që me seriozitetin më të madh të respektoni udhëzimet e ekspertëve shëndetësor dhe vendimet e institucioneve. Në asnjë mënyrë nuk duhet ta nënvlerësojmë rrezikun nga ky armik i padukshëm, në asnjë mënyrë nuk duhet të mendojmë që rreziku ka kaluar, javet në vijim janë me kritiket, duhet vetëm të shtojmë kujdesin dhe të respektojmë në përpikëri udhëzimet e ekspertëve. Me virus mund të jemi infektuar secili nga ne e mos të jemi në dijeni dhe kështu mund ta përhapim tek më të dashurit tanë. Zgjidhja e vetme për ta mposhtur virusin është të shmangim kontaktet me persona të tjerë e të mbajmë higjienën”, ka pohuar ai.

Ai ka thënë se është obligim njerëzor e moral i të gjithë neve që të zbatojmë udhëzimet e mjekëve.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar 79 raste të reja me COVID-19 në Kosovë, duke çuar në 362 numrin e të infektuarve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme