Google ADS

Maqedoni – Filipçe: Testet janë të besueshme, do të përdoren edhe për gripin sezonal

19:28 | 12 Prill 2020
Arbresh Info

Numri i rasteve të të infektuarve me Kovid-19 vazhdon të jetë i lartë. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 68 raste të reja, me çka numri i të infektuarve aktiv ka arritur në 753 raste.

Më së shumti raste janë regjistruar në Kumanovë – 18 dhe Shkup 15 raste. Pas tyre vjen Prilepi me 14 raste, Struga me 10, Velesi me 6 dhe Tetova me 2 raste. Nga një rast janë regjistruar në Manastir, Gostivar dhe Koçan.

Raste të reja të viktimave nuk ka, me këtë numri mbetet 34.

Në Maqedoninë e Veriut prezenca e virusit korona testohet edhe te personat e vdekur dhe ka raste që kanë rezultuar pozitiv. Kjo e aktualizoi çështjen, se a janë të besueshme testet që përdoren në vend? Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se po edhe përkundër faktit se asnjë test nuk mund të jetë qind për qind i saktë.

“Te çdo rast, thuajse edhe pas vdekjes marrim strisha. Unë nuk besoj se ka ndonjë shtet që e bën këtë, megjithatë besoj se me këtë i arrijmë dy gjëra: E para ne bëjmë analizë retrograde sa i takon kontakteve, konsideroj se ajo si masë është e mirë për rrethinën dhe puna e dytë është se ne në këtë moment e plotësojmë pasqyrën epidemiologjike aty ku duam të arrijmë”, deklaroi Venko Filipçe ministër i Shëndetësisë.

Prezenca e Kovid-19 do të testohet edhe në mostrat e të sëmurëve nga gripi sezonal, njoftoi epidemiologu Zharko Karagjovski. Qëllimi është të vërtetohet dyshimi se nëse Kovid-19 ka qenë edhe gjatë hovit të gripit sezonal.

“Në shtet kemi të regjistruar diçka më pak se 40 mijë raste me grip gjatë këtij viti kalendarik, 2019-2020. Kjo paraqet diku 17-18 për qind më shumë se sa viti kalendarik i kaluar dhe për këtë jemi duke menduar se ka nevojë të bëjmë hulumtim kur kjo do të qetësohet. Kur kjo gjendje me Kovid-19 do të mbarojë, të bëjmë testim serologjik. Nëse nga ato mostrat që i kemi ruajtur në laborator, del se janë pozitiv me Kovid-19, do të shohim se nëse rasti i parë nuk ka qenë më 26 shkurt”, tha Zharko Karagjovski – epidemiolog.

Edhe pse rastet e gripit sezonal do të ritestohen për Kovid-19, nuk pritet të ndodhë e kundërta. Siç sqaruan nga Institutit për Shëndet Publik, kjo sepse kur vërtetohet prezenca e Kovid-19 nuk ka nevojë të testohet edhe prezenca e ndonjë virusi tjetër. Që nga shkurti deri tash në vend janë diagonstikuar 828 raste me kovid-19. Prej tyre, 34 kanë ndërruar jetë ndërkaq 41 janë shëruar.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme