Google ADS

Nëse s’do kishte virus, sot do mbaheshin zgjedhjet në Maqedoni

18:44 | 12 Prill 2020
Arbresh Info

Nëse s’do kishte virus, sot do mbaheshin zgjedhjet! Afatet do të rrjedhin pas gjendjes së jashtëzakonshme

Sot Maqedonia e Veriut do të duhej të mbante zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të njëjtat u anuluan për shkak të epidemisë me koronavirusin. Këtë vendim njëzëri e sollën tek Presidenti krerët e partive parlamentare të vendit. Mbajtja e zgjedhjeve tani varet nga ajo se kur Presidenti do ta ndërpresë gjendjen e jashtëzakonshme.

Si fillim ajo është vendosur për një muaj, e nëse nuk zgjatet, pritet të përfundojë më datë 18 të këtij muaji. Kjo ua vështirëson partive që që tani të fillojnë dhe kalkulojnë për një datë të re për zgjedhje. Nënkryetari i partisë më të madhe në pushtet LSDM, Muhamed Zekiri, vlerëson se nëse gjendja përmirësohet, zgjedhjet do të ishte mirë të mbahen para tetorit.

“Data e preferuar ishte 12 prilli, tani shkaku i situatës do të pajtohemi me datën varësisht nga situata. Nuk duam të vëmë në rrezik qytetarët. Shëndeti i tyre është parësor për ne dhe më pas do të shkojmë në zgjedhje”, tha Muhamed Zekiri, nënkryetar i LSDM-së.

TV21: Është përmendur 11 tetori. Keni informacione për këtë?

MZ: Jo, nuk e kam dëgjuar si datë, por gjithsesi ne presim, unë personalisht,  mendoj dhe pres që zgjedhjet të ndodhin shumë më shpejt se sa në tetor”.

Zëvendëskryeministri, njëherazi dhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, nuk thotë ndonjë datë ose muaj konkret që integristët do ta kishin të pranueshëm për zgjedhje.

“Afati është i definuar me ligj, 21 ditë pas ditës së përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Kështu që afati varet prej vendimit të Presidentit se kur e ndërpret gjendjen e jashtëzakonshme e që do varet nga gjendja në terren. Mendoj që Presidenti edhe pas tejkalimit të pandemisë do të konsultohet me liderët e partive politike para se ta ndërpresë gjendjen e jashtëzakonshme me çka fillojnë afatet e 21 ditëve”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës BDI-së.

Për VMRO-DPMNE-në më i rëndësishëm për momentin është shëndeti i qytetarëve dhe ekonomia, ndërsa për datë zgjedhjesh do të flasin pas përfundimit të krizës, të cilën thonë se qeveria nuk është e aftë për ta menaxhuar.

“Për momentin kjo na është e vetmja gjë e rëndësishme, sapo të përfundojë dhe të rregullohet situata me pandeminë dhe qytetarët të jenë të sigurt, atëherë mund të flitet për të gjitha të tjerat që pasojnë si sfida”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së.

E opozita shqiptare më konkrete me qëndrimet e saj. Kreu i ASH-së Ziadin Sela ditë më parë në TV21 tha se periudha e verës do të ishte më e pranueshme për zgjedhje.

“Kjo do të thotë se ne duhet të kapim mesin e verës kur temperaturat janë të larta, sepse është e ditur se ky virus në temperatura të larta nuk mbijeton shumë. Prandaj zgjidhje e mirë do të ishte fundi i korrikut, ose fillimi i gushtit”, ka deklaruar Ziadin Sela, kryetari ASH-së.

Мë 18 mars, një ditë pas takimit të liderëve, u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Më 21 mars qeveria solli vendim për ndërprerjen e procesit zgjedhor. Neni 5 i urdhëresës me fuqi ligji shkruan se “zbatimi i zgjedhjeve do të vazhdojë nga dita e ndërprerjes së gjendjes së jashtëzakonshme”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme