Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se vlerëson presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për shkak të mbështetjes me furnizime mjekësore të dhuruara për vendet fqinje dhe vendet e tjera për të luftuar pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), duke theksuar se solidariteti i Turqisë duhet të jetë shembull për gjithë botën, raporton Anadolu Agency (AA).
Këto komente Ghebreyesus i bëri në një konferencë online për media në qendrën e OBSH-së në Gjenevë të Zvicrës.
I pyetur nga gazetari i AA-së mbi ndihmat mjekësore të Turqisë për Britaninë, Spanjën, Italinë dhe vendet e Ballkanit, teksa në anën tjetër lufton edhe brenda kundër virusit, Ghebreyesus tha se sot në mëngjes u është adresuar liderëve të Këshillit të Shteteve Turkofone.
Ghebreyesus tha se të gjithë liderët që morën pjesë në samitin e sotëm arritën një marrëveshje për bashkëpunim midis tyre dhe rajonal, dhe se OBSH falënderoi presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev për kontributin e tij prej 5 milionë dollarësh.
Ghebreyesus shprehu vlerësime për presidentin Erdoğan i cili mori pjesë në samitin e sotëm online të Këshillit të Vendeve Turkofone.
“Unë e vlerësova presidentin Erdoğan për shkak të mbështetjes me furnizime mjekësore për vendet fqinje dhe vendet e tjera. Ky është një parim i solidaritetit që ne e mbrojmë dhe që po realizohet. Unë e falënderoj Turqinë për këtë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Përderisa bëjmë më të mirën brenda kufijve tanë, ne duhet t’i mbështesim edhe ata që kanë nevojë për mbështetjen tonë”, tha Ghebreyesus.
Ai tha se solidariteti i Turqisë dhe Azerbajxhanit si vende të Këshillit të Vendeve Turkofone në lidhje me pandeminë COVID-19 “duhet të jetë shembull për gjithë botën”.
“Unë shpresoj që edhe vendet e tjera do të angazhohen për një parim të këtillë solidariteti dhe që së bashku të luftojnë kundër këtij armiku të padukshëm, por të rrezikshëm”.
Ndryshe, Turqia ditëve të fundit ka dërguar pajisje mjekësore në mbështetje të luftës kundër koronavirusit për Spanjën, Italinë, Britaninë, si dhe për pesë vende të Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
LDK njofton se “Turneu i Ndryshimit” do të mbahe...
Ukraina do t’i kërkojë NATO-s ftesë për anëtarësim javën e a...
Costa: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, forcon paqe...
Gruda: Nuk kemi pasur forcë më herët për ta rrëzuar këtë qev...
Incidenti me flamurin, Siljanovska: Mosrespektimi i simbolev...
“Foto e Ditës”, Rama nderon Dëshmorët e Atdheut