QKRMT kërkon lirimin e parakohshëm të të burgosurve gjatë COVID-19

13:04 | 9 Prill 2020
Arbresh.info

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) konsideron të pamjaftueshme masat e deritanishme për parandalimin e përhapjes së Covid-19 në burgjet e Kosovës dhe kërkon nga Ministria e Drejtësisë inicimin e ndryshimeve ligjore në procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që të mundësohet lirimi i përkohshëm apo amnistia për të dënuarit në kohën e pandemisë.

Shumica e shteteve në rajon, Evropë apo edhe më gjerë kanë shfrytëzuar mundësitë ligjore ekzistuese, apo kanë vepruar përmes akteve të reja/ndryshimeve në legjislacionin përkatës duke adresuar këtë nevojë, ashtu që numër i madh i të dënuarve kanë përfituar nga lirimi nga dënimit, pezullimi i dënimit, falja, amnistia, thuhet në komunikatë.

Duke përkujtuar se legjislacioni aktual në Kosovë nuk ofron ndonjë mundësi për veprime të tilla, QKRMT konsideron se zgjidhje e vetme mbetet mundësia q ë përmes ndonjë nisme për ndryshime ligjore të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale apo me akt të veçantë të adresohet kjo çështje në mënyrë që një numër i të dënuarve të mund të përfitojnë dhe kështu të adresohet kjo problematikë edhe në institucionet korrektuese në Kosovë në kushtet e pandemisë.

Ligji për Amnisti të parasheh lirimin e të dënuarve që iu kanë mbetur dy vjet e më pak të dënimit me burg, ndërsa përjashtim nga amnistia të bëhet për të dënuarit për vepra të rënda, siç janë: vrasja e rëndë, dhunimet, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit etj.

Kriteret për përfshirje në amnisti në kohën e pandemisë Covid-19, sipas QKRMT-së duhet ë përcaktohen sikurse në ligjet e shteteve evropiane.

Propozimet e QKRMT-së për sistemin gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë, janë bërë në harmoni me Parimet themelore të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit dhe Dënimeve Çnjerëzore e Degraduese (KPT), për trajtimin e personave të privuar nga liria në kushtet e pandemisë COVID-19 të publikuara më 20 mars 2020.

Ndryshe në burgjet e Kosovës janë rreth 1800 të atyre që vuajnë dënimin, prej të cilëve 40% janë të paraburgosur.

 

Të ngjashme