Silva Bino: Përdorni maska kirurgjikale sepse virusi tani gjendet edhe në ajër

00:01 | 9 Prill 2020
Trina Galanxhi

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Shqipëri, Silva Bino, në një intervistë për Open në Top Channel, tha se shifrat e koronavirusit janë të dhëna reale, duke shtuar se qëllimi i sistemit shëndetësor është që kurba të mos ngjitet lart.

Ajo gjithashtu sugjeroi përdorimin e maskave kirurgjikale, pasi kemi një përqendrim të virusit në ajër.

“Qëllimi i masave shtrënguese është që kurba të mos ngjitet me pikë shumë të lartë, por të jetë e sheshtë mos prekë jetët e njerëzve, e mos rëndojë sistemin shëndetësor. Të ulim kurbën e të ngushtojë spektrin e sëmundjes, ky është qëllimi ynë. Ky është virus që do qarkullojë në popullatën e të gjitha vendeve, do të duhet kohë që popullata të ndërtojë imunitetin, qoftë imunitetin natyror, qoftë nëpërmjet një vaksine që nuk do jetë e gatshme deri nga fillimi i vitit tjetër, kjo do ta minimizonte shumë sëmundjen”.

“Pra sëmundja do të qarkullojë e për këtë arsye duhet të jemi të përgatitur në çdo moment që shumë elementë të këtyre masave që e quajmë distancim social, unë do e quaja distancim fizik, të zbatohen, se kemi qenë shumë të lidhur, të kuptojmë që kemi një realitet të ri, që do të thotë që nuk duhet të rrimë në ambiente të mbyllura. Për momentin kemi përqendrim të virusit në ajër, ndaj rekomandohen edhe ndryshimet e reja, cdo gjë adaptohet me të dhënat e reja, mund të mos kesh nevojë për maskë profesionale por një maskë që të mbron, edhe një maskë kirurgjikale, apo që bëhet me shtresat e duhura prej beze apo nape, apo cope mund të përdoret fare mirë”, ka thënë Bino. /dritare.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme