Google ADS

Suspendohet togeri që u arrestua, u gjet në kazino derisa i ishte kërkuar vetizolimi

14:07 | 8 Prill 2020
arbresh.info

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë së martës në qytetin e Gjilanit është arrestuar një pjesëtar i Policisë së Kosovës me gradën toger.

Portali arbresh.info mëson nga burime brenda Policisë së Kosovës se togerit i ishte kërkuar të vetizolohet shkaku i dyshimeve për infektim me koronavirus.

“Ka shërbyer në fshatin Zhegër të Gjilanit, dhe dyshohej se mund të ishte i infektuar, prandaj i ishte kërkuar të vetizolohej. Por, pavarësisht kësaj ai është gjetur në orët e mbrëmjes në një kazino në fshatin Karaçevë të Kamenicës”, bënë të ditur ky burim.

Sipas njoftimit, togeri jashtë detyrës zyrtare nuk kishte përfillur urdhrin e qeverisë kundër koronavirusit, shkruan arbresh.info.

Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, për arbresh.info, ka thënë se Hetuesit e Inspektoratit Policor janë njoftuar dje në orët e mbrëmjes  nga policia lidhur me dyshimet për këtë zyrtar policor.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor janë njoftuar dje në orët e mbrëmjes  nga policia lidhur me dyshimet se një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare (me gradën e togerit) nuk ka përfillur urdhrat bazuar në vendimet qeveritare lidhur me pandeminë Covid 19”, ka thënë Beka .

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me prokurorin kujdestar.

“Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se ka kryer veprën penale “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, ka thënë për arbresh.info, Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit të Policisë së Kosovës.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës, ka thënë në fund Beka./E.Ballazhi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme