Osmani-mjekëve: Sot, në kohën e lëngatës globale, ju jeni heronjtë tanë

16:34 | 7 Prill 2020
L G

Në ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë mesazhin e saj për këtë ditë.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se pandemia e corona-virusit i ka ndryshuar jetët tona, shprehitë tona dhe ritmin tonë jetësor.

Sipas saj, dita e hënë ishe shumë e rëndë për Kosovën, sepse humbëm dy qytetarë nga ky virus, ndërkaq 20 të tjerë u konfirmuan të infektuar.

“Kjo pandemi ka krijuar sfida të mëdha për njerëzimin, profesionistët shëndetësorë, sfida për bizneset, dhe në tërësi për shoqërinë. Shtrirja e saj na kërkoi të distancohemi nga njëri-tjetri, mirëpo ajo dëshmoi po kështu se vetëm të bashkuar mund ta përballojmë edhe këtë sfidë”, ka shkruar Osmani.

Duke iu drejtuar mantelbardhve, Osmani ka thënë se ata janë heronjët tanë në këto ditë të rënda pandemie.

“Secila kohë i ka heronjtë e vet. Sot, në kohën e lëngatës globale, ju jeni heronjtë tanë. Përpjekja dhe sakrifica juaj për të shpëtuar e ruajtur jetët tona është momument i kohës dhe dëshmi se situatat si kjo kërkojnë jo vetëm mobilizim, por mbi të gjitha solidaritet. Puna juaj në këto ditë të zorshme nuk ka çmim. Ndaj sot, jam me ju, që edhe nesër, kur pandemia të kalojë, të jemi sërish bashkë me ju”, ka shkruar Osmani./arbresh.info

 Postimi  i plotë:

Mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit

Të dashur profesionistë shëndetësorë!

Pandemia e corona-virusit i ka ndryshuar jetët tona, shprehitë tona dhe ritmin tonë jetësor. Dje ishte ditë shumë e rëndë për Kosovën, sepse humbëm dy qytetarë nga ky virus, ndërkaq 20 të tjerë u konfirmuan të infektuar. Kjo pandemi ka krijuar sfida të mëdha për njerëzimin, profesionistët shëndetësorë, sfida për bizneset, dhe në tërësi për shoqërinë. Shtrirja e saj na kërkoi të distancohemi nga njëri-tjetri, mirëpo ajo dëshmoi po kështu se vetëm të bashkuar mund ta përballojmë edhe këtë sfidë.

Të dashur mantelbardhë!

Ju sot po luftoni për t’u shërbyer qytetarëve të Republikës së Kosovës. Duke “e vënë jetën tuaj në shërbim të humanitetit”, sipas betimit të Hipokratit, ju po e jepni shembullin e vetëmohimit dhe të sakrificës njerëzore, dhe po e ringjallni shpresën.

Andaj, në Ditën Botërore të Shëndetësise, dua t’jua shpreh mirënjohjen time të thellë si dhe t’ju falënderoj për angazhimin tuaj. Faleminderit pafundësisht!

Në këtë ditë të veçantë për ju, dua t’jua shpreh respektin tim të thellë për kontributin tuaj në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë. Por, bëj thirrje po kështu që, në këtë ditë, të solidarizohemi me njëri-tjetrin dhe ta kuptojmë se investimi në shëndetësi është investim në jetët tona, në sigurimin e jetës së fëmijëve tanë.

Jam e vetëdijshme se ju sot përballeni me vështirësi dhe mungesa të shumta në përpjektet tuaja për të shpëtuar jetë. Kemi trashëguar një sektor shëndetësor të lënduar ndër vite dhe të financuar jo mirë. Prandaj, është mbi të gjitha vullneti dhe angazhimi i juaj, të dashur mantelbardhë, ai që po e mundëson menaxhimin e situatës me pandeminë.

Eshtë koha t’i përkrahim mjekët tanë në betejën e tyre jetësore ndaj virusit Covid 19. Është koha që vetëmohimin dhe sakrificën e tyre ta kthejmë në moment reflektimi mbi shoqërinë. Është koha të besojmë se ballafaqimi me pandeminë, sado i vështirë, është i mundur nëse e ruajmë besimin në punëtorët tanë shëndetësorë, nëse u përmbahemi udhëzimeve të institucioneve shëndetësore dhe nëse i shmangim lëvizjet e panevojshme dhe e ruajmë distancën sociale.

Të nderuar mantelbardhë!

Secila kohë i ka heronjtë e vet. Sot, në kohën e lëngatës globale, ju jeni heronjtë tanë. Përpjekja dhe sakrifica juaj për të shpëtuar e ruajtur jetët tona është momument i kohës dhe dëshmi se situatat si kjo kërkojnë jo vetëm mobilizim, por mbi të gjitha solidaritet. Puna juaj në këto ditë të zorshme nuk ka çmim. Ndaj sot, jam me ju, që edhe nesër, kur pandemia të kalojë, të jemi sërish bashkë me ju!

Faleminderit që çdo ditë tonën po e ktheni në shpresë e kurajo, në mënyrë që Covid-19, të jetë rrëfim i mbyllur! Faleminderit që po na mësoni se si duhet t’i shërbejmë atdheut!

Qofshi të bekuar në misionin tuaj fisnik!

Të ngjashme