Shkeljet e rënda të institucioneve po dërgohen në Prokurori nga Auditori

14:11 | 4 Prill 2020
Arbresh.info

Zyra Kombëtare e Auditorit -ZKA, i auditon shumë institucione në Kosovë, duke publikuar për to raporte të rregullsisë, ose raporte të përformancës.

Plani auditues për sezonin 2019/20, i ZKA, përfshinë kryerjen e 129 auditimeve, prej të cilave 120 auditime të rregullsisë si: auditimi i buxhetit të shtetit, 58 auditime të nivelit qendror, 38 komuna, 14 ndërmarrje publike, 9 projekte të financuara nga fondet e jashtme, si dhe 9 auditime të performancës. Kështu ka bërë të ditur ky institucion për lajmi.net.

Si rrjedhojë e kësaj, ZKA disa raste të të gjeturave i ka dërguar në prokurori, por nuk dihet se sa raste kanë përfunduar me aktakuzë, apo çfarë ka bërë prokuroria me to.

Shqipe Hetemi, zyrtare për informim në ZKA nuk dëshiron të bëjë publike numrin e rasteve që ZKA i ka dërguar në hetuesi, por thotë se në bazë të kërkesave të përcaktuara në Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit të cilat janë të zbatueshme drejtpërdrejt në Kosovë, çdo herë kur Zyra Kombëtare e Auditimit has në raste të dyshimit për vepra penale, ato i dërgohen Prokurorit të Shtetit për analizë dhe hetime të mundshme.

Ajo tha se, më pastaj, Zyra Kombëtare e Auditimit nuk komenton mbi rastet nëse ato janë në hetime (edhe nëse hetimet kryhen ex officio), ngase komentet e tilla mund të konsiderohen si ndërhyrje në hetimet e Prokurorisë dhe si tilla janë në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit.

“Duke pasur parasysh se auditimi ka funksion krahasues dhe udhëzues, ashtu siç e nënvizojnë Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Audimit (SNISA 12 – Vlera dhe përfitimet nga Institucionet Supreme të Auditimit), Zyra Kombëtare e Auditimit vë në spikamë edhe nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës, ku është përcaktuar qartë parimi i ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, dhe rrjedhimisht nuk ndërhyn në aktivitetet e institucioneve në zbatim të ligjit, përfshirë numrin dhe natyrën e rasteve për të cilat ato i zhvillojnë hetimet në bazë të raporteve tona”, tha Hetemi për lajmi.net.

Ajo tha se për dallim nga viti i kaluar këtë vit është rritur numri i auditimit të ndërmarrjeve publike për tri dhe se ato janë KRU Hidromorava, KRU Bifurkacioni sh.a. Ferizaj dhe Ndërmarrja e re Energjetike e Kosovës.

Ajo tha se të gjitha raportet individuale të rregullsisë do të publikohen deri në fund të qershorit siç edhe është e përcaktuar me kornizën ligjore. Sipas saj, pritet që raportet e para të bëhen publike në gjysmën e dytë të muajit prill.

Megjithëkëtë, ZKA nuk e ka akoma në plane që të auditojë njërën prej Ndërmarrjeve Publike më të mëdha në Kosovë, Korporatën Energjetike të Kosovës. Pos për nga numri i punëtoreve, kjo ndërmarrje është shpenzuesja më e madhe e parave edhe nëpërmjet procedurave tenderuese.

Lidhur me auditmin e KEK-ut, Hetemi tha se deri më tani ZKA-ja ka audituar një numër të konsiderueshëm të ndërmarrjeve publikeve duke e rritur çdo vit këtë numër dhe se rritja e protofolios  së auditimit të ndërmarrjeve publike bëhet krahas kapaciteteve njerëzore  dhe profesionale të institucionit. “Ndërsa,  planifikimi i auditimit bëhet duke u bazuar në rrezik si dhe duke respektuar kontratat eventuale që ato kanë me kompani private të auditivit”, tha ajo.

Raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore. Në këtë mënyrë ZKA rrit besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luan një rol aktiv në sigurimin e interesit të taksapaguesve dhe të palëve tjera të interesit në rritjen e përgjegjësisë publike.

 

Të ngjashme